Prishtinë, 21 shkurt – “Karnavalet e Korçës” të Spiro Çomorës është premiera e parë për sivjet e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Nën regji të Altin Bashës, shfaqja do të ketë premierën sot (e enjte). Në një konferencë për media, të mërkurën, drejtuesit e TKK-së dhe vetë regjisori Basha kanë thënë se presin që shfaqja të ketë sukses.
Drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Agim Sopi, ka thënë se si institucion janë të lumtur që e fillojnë sezonin me njërin nga regjisorët më të mirë shqiptarë e në rajon.
Vetë regjisori Basha ka thënë se ftesën nga Prishtina e ka pritur me shumë kënaqësi pasi “është edhe pak i papunë në Tiranë”. Tekstin e ka përshkruar si një rrëfim që ka histori interesante.
“Duhet të them që TKK-ja ka një kastë aktorësh që nderon çdo regjisor. Tetari shqiptar në tërësi nuk ka momentalisht një ansambël më të përgatitur se sa TKK-ja”, ka thënë ai.
Aktori Luna Jaha ka thënë se në këtë kastë shkëlqejnë të gjithë, kurse aktorja Ilire Vinca se “Për mua ka qenë një dhuratë e bukur ta shijoj punën e Bashës si aktore”. Kompozitor është Trimor Dhomi, e skenografinë e kostumografinë i ka bërë Iliriana Loxha-Basha.