Kina goditet nga mungesa e rrymës, frikë për furnizimet globale

Prishtinë | 28 Sht 2021 | 08:26 | Nga Ekonomia Online

Mungesa masive e rrymës në pjesën verilindore të Kinës la shtëpitë pa dritë dhe e ndërpreu prodhimin në shumë fabrika, ndërsa dyqanet u detyruan të punojnë më qirinj.

Banorët në atë pjesë të Kinës, ku vjeshta ka sjellë rënie të temperaturave, raportuan për ndërprerje të rrymës dhe në rrjetet sociale i bënë thirrje qeverisë që t’ia kthejë furnizimin me energjinë, shkruan The Guardian.

Mungesa e rrymës, e shkaktuar nga furnizimi i kufizuar me thëngjill dhe standardet në rritje rreth lirimit të gazrave, e ka dëmtuar prodhimin në industri nëpër disa rajone dhe përbën rrezik për zinxhirin edhe ashtu të vështirësuar të furnizimit global me energji.

Prodhuesit tashmë po përballen edhe me mungesë të çipave, vështirësi në transportin detar dhe me efektet e mbylljeve globale në transport e tregti për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Pezullimi i prodhimit në disa fabrika shkaktoi shqetësim për mungesë të mundshme të mallrave në prag të Krishtlindjeve, përfshirë telefonat e mençur dhe pajisjet tjera.

Furnizuesi i kompanisë Apple, “Eson Precision Engineering”, tha të dielën se do ta ndërpresë prodhimin në fabrikën e vet deri të enjten në Kunshan, në linjë me politikën e qeverisë lokale për kufizimin e shpenzimit të energjisë.

Të ngjashme