Kina ndalon fluturimet me “Boeing 737-8” pas aksidentit në Etiopi

Prishtinë | 11 Mar 2019 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet kineze kanë urdhëruar kompanitë ajrore vendase që përdorin avionin amerikan të modelit “Boeing” të ndalojnë përkohësisht fluturimet pas aksidentit ajror që ndodhi në Etiopi.

Përmes një deklarate, Administrata e Aviacionit Civil të Kinës si arsye për ndalesën citoi dy aksidentet me modelin “Boeing 737-8”, atë të tetorit të vitit të kaluar në Indonezi, kur humbën jetën 189 persona dhe aksidentin fatal të fundjavës në Etiopi me 157 viktima, duke shtuar se që të dyja fatkeqësitë kanë ndodhur si pasojë e shkaqeve të ngjashme.

Siç thuhet në deklaratë, të gjitha firmat që përdorin avionin “Boeing 737-8” janë udhëzuar që deri në ora 18.00 sipas kohës lokale t’i ndalojnë fluturimet komerciale për të garantuar sigurinë e fluturimeve civile në Kinë dhe për të siguruar menaxhimin e fortë të rreziqeve të sigurisë, duke pasur “zero tolerancë ndaj problemeve të papara të sigurisë”.

Autoriteti kinez i aviacionit tha se do të kontaktojë Administratën Federale të Aviacionit të SHBA-së dhe firmën “Boeing” dhe se fluturimet do të rifillojnë pas garantimit të masave të nevojshme për sigurinë e fluturimeve.

Sipas të dhënave të administratës së aviacionit, në Kinë gjenden 96 avionë të tipit “Boeing 737” që operohen nga firmat vendase të fluturimeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme