(Kali i Trojës i Vetëvendosjes.)
…
Opozita e ka krijuar një monstrum të ri.
Jo pse ka vjedhur.
Jo pse ka tradhtuar.
Jo pse ka kryer ndonjë krim.
Por sepse dyshohet se është greke.
Madje jo greke e zakonshme.
Greke misterioze.
Greke në tentativë.
Pseudo-greke.
Një grua që, sipas legjendës politike,
e drejton Albin Kurtin,
i komandon deputetët,
i manipulon gazetarët dhe
po e rrënon shtetin nga prapaskena.
(Ani pse dihet që është ajo.
E tradhton kapuçi.)
Inteligjenca ende nuk është deklaruar.
Sepse ende nuk është krejt e qartë kush është kjo armike apokaliptike.
A punon për grekët?
Për rusët?
Për serbët?
(Se, janë do specifika.)
Për fat të keq.
Vetëm Albin Kurti e di.
Por të gjithë janë të sigurt se është jashtëzakonisht e rrezikshme.
Dhe ka për qëllim ta ripushtojë Kosovën.
Pse?
Sepse ka kapuç të kuq.
Dhe sepse babai i saj quhet Aleksandër.
Emër tepër i dyshimtë për një vend ku shumica e dinë Himnin e Flamurit,
por jo se një Aleksandër (Asdreni) e ka shkruar.
…
Kjo është arsyeja qendrore
pse opozita nuk po e mund Albin Kurtin.
Sepse po grindet me një kapuç.
Dhe duke u grindur me të,
e kanë mitizuar.
E kanë fryrë.
E kanë bërë kulçedër
Ndërkohë që ajo nuk është kulçedër.
Madje, në këtë moment,
zonja po mundohet ta ridëshmojë besnikërinë e vet absolute,
pasi i ka kushtuar shtrenjtë partisë së saj.
Pra, opozita po e ngre në qiell një figurë
që vetë Vetëvendosja mezi po e mban në tokë.
…
EPILOG:
Opozita
po ia jep kundërshtarit dhuratë rolin që ai e kërkon më së shumti:
rolin e viktimës.
E viktimën,
populli nuk e lë vetëm.
…
P.S.
E deshta unë një djalë.
Dhe ai më deshti mua.
Por asnjëri nuk ishte grek.
…
AUTOKRITIKË:
Po ti,
ç’ke që hyn në rend të grave?
Se…
dikush duhet ta mbrojë Greqinë.
…