Kompania e ujitjes në Pejë prej 4 vjetësh operon pa leje ujore

Prishtinë | 16 Kor 2018 | 09:44 | Nga

Gjatë auditimit të bërë vjet për pasqyrën financiare vjetore të KRU “Drini i Bardhë Sh.a.” në Pejë, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur mangësi të shumta.

Një nga gjetjet kryesore të ZKA-së ka qenë mosvazhdimi i lejes ujore, pa të cilën kjo kompani operon prej 4 vjetësh, shkruan sot “Koha Ditore”.

“‘Drini Bardhë’ nuk kishte arritur të siguronte lejen ujore, në përputhje me kërkesat e Ligjit për ujërat në Kosovë nr. 04/L-147 (neni 71 pika 1). Dhe me gjithë përpjekjet për sigurimin e saj, nga muaji gusht i vitit 2014, ‘Drini i Bardhë’ vazhdon të punojë pa leje ujore, për shkak se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i kishte refuzuar kërkesën si të pakompletuar”, thuhet në raportin e Auditorit, i cili ka vlerësuar të rrezikshme operimin pa leje të kësaj kompanie publike, pasi që mund të përballet me masa ndëshkimore e që do të sjelltë kompaninë në një situatë të vështirë financiare.

Nga drejtuesit e kësaj kompanie ZKA-ja ka kërkuar të kompletojë dokumentet e nevojshme për aplikim, në mënyrë që të shmangë refuzimin e kërkesës nga ministria kompetente dhe të arrijë të sigurojë lejen ujore. Kërkesa e fundit kompanisë për t’u pajisur me leje ujore është refuzuar nga Departamenti i ujërave në Ministrinë e Mjedisit, në mungesë të raportimeve financiare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme