Komuna e Lipjanit përkujton 21 dëshmorët dhe 170 martirët e prillit 1999

Lipjan | 15 Pri 2023 | 15:48 | Nga Artiona Çitaku Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Lipjanit ka organizuar Akademi Përkujtimore, në nderim të 24-të vjetorit të rënies së dëshmorëve dhe martirëve të kësaj komune.

Qytetarë të shumtë morën pjesë në këtë akademi për të nderuar të rënët, duke përkujtuar kështu 24-vjetorin e terrorit dhe masakrave të forcave serbe në këtë komunë.

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, në fjalën e tij të rastit tha se pashmangshëm në raste tilla në kujtesën tonë kthehen ngjarjet e trishta të para 24 viteve kur Sllovia, Ribari i Vogel, Hallaqi i Vogël, e të gjithë fshatrat e lagjet tona po sulmoheshin nga barbarët ushtarakë, militarë e paramilitarë serbë, duke kryer masakra shtazarake mbi qytetarët të komunës sonë.

“Andaj nuk mund t’i shmangemi rikujtimit të atyre ditëve të Prillit, të Prillit të përgjakur kur dhuna, krisma e vrasje, dëbimi masiv me dhunë nga shtëpitë tona, kur era e shkatërrimeve i mbuloi gjithë fshatrat tona e në veçanti fshatrat, Sllovi, Ribar i Vogël dhe Hallaq i Vogël, ku barbarisht u pushkatuan fëmijë, gra, e të moshuar, u plagosën e u maltretuan dhe u dëbuan masovisht nga fshatrat tona dhe shtëpitë tona”.

“Data si kjo përveç kujtimit të së kaluarës e nderimit të të gjithë të rënëve duhet të na shërbej si referencë, për punë të mira, për të ruajtur me fanatizëm vlerat sublime të lirisë e të gjakut të derdhur për shtet”, ka thënë Ahmeti.

“Ne kemi arritur t’i realizojmë idealet e tyre vetëm atëherë kur arrijmë ta ndërtojmë vendin duke shënuar progres, kur jeta e gjithsecilit është përmirësuar dhe mirëqenia e të gjithë qytetarëve pa dallim ka shënuar progres”, ka thënë ndër të tjera kreu i Komunës.

Ahmeti ka theksuar se me e pakta që mund të bëjnë për dëshmorët e martirët janë shënimi i ditëve dhe datave si kjo. “Por asnjëherë nuk mund të bëjmë mjaftueshëm ndaj gjakut të derdhur për liri e pavarësi i cili na obligon përherë të gjithëve pa dallim për të ruajtur atdheun tonë për të dashur e vlerësuar të kaluarën tonë dhe për ta ndërtuar e zhvilluar vendin tonë”

Ahmeti ka theksuar se falë gjakut të dëshmorëve e martirëve vendi ynë sot është shtet i pavarur e sovran. “Sot ende ka nevojë për kontributin e të gjithë neve, ne duhet t’i zgjedhim problemet tona, duhet ta izolojmë të keqen e t’i japim shans të mirës, ta heqim xhelozin e inatet, ta vendosim shtetin para së gjithave, sot dhe asnjëherë askush nuk ka të drejtë të shkelë mbi amanetin as gjakun e derdhur për liri e shtetësi”.

“Edhe sot pas 24 viteve vendi ynë po përballet me sfida siç është dialogu, Gjykata Speciale, migrimi i të rinjve, sfida e zhvillimit ekonomik dhe integrimit, sfida e raportit të vendit tonë me aleatet ndërkombëtarë, janë sfida për të cilat kërkohet zgjidhje e përbashkët, e mençur dhe afatgjate, për të mos i lënduar themelet e shtetit tonë”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se qasja e gjithë neve duhet të jetë përtej individuales e përtej politikës ditore, për të tejkaluar çdo sfidë më të cilat përballet vendi.

Kryetari i Lipjanit në fund të fjalimit ka potencuar se varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në Sllovi, Ribari të Vogël, Hallaq të Vogël dhe gjithë varrezat tjera në territorin e komunës e me gjerë, atje ku pushojnë përjetësisht martirët e dëshmorët, janë vende të shenjta për për qytetarët e Lipjanit dhe gjithë Kosovës dhe do të mbetën udhërrëfyes i përjetshëm.

Në emër të familjeve kanë folur Feim Ismajli dhe Feriz Gërbeshi.

Ismajli tha se janë mbledhur që t’i kujtojnë 21 dëshmorët dhe 170 martirët e komunës që u vranë në mënyrë mizore nga ushtria serbe.

“Sot u bënë 24 vite kur forcat serbe vranë edhe masakruan një popullatë të pambrojtur dhe të pafajshme. Jemi mbledhur se bashku që t’i kujtojmë 21 dëshmorët dhe 170 martirët që u vranë në mënyrë mizore nga ushtria, policia dhe paramilitarët serbë”.

“Ndërsa nën kërcënimin e dhunës serbe për pastrim etnik u dëbuan me dhunë gjysma e popullatës shqiptare”, tha Ismajli.

Feriz Gërbeshi, përfaqësues i fshatit Sllovi, tha se nuk mund të pajtohen me heshtjen e institucioneve që akoma nuk kanë bërë një padi për krimet që ka bërë Serbia.

“Ne familjarët e tri masakrave nuk do të pajtohemi asnjëherë hme heshtje e institucioneve përgjegjëse që ende nuk kanë arritur të ngrenë një padi me të gjitha ato fakte. Ato fakte po humbasin, po vdesin e po veniten. Ne nuk do të ndalemi kurrë duke kërkuar drejtësi, deri në dënimin e kriminelëve”.

“Nëse dëshironi që sadopak ta dërgoni amanetin e tyre në vend, punoni që të jemi një vend shembull”, porositi Gërbeshi.

Pas përfundimit të Akademisë Përkujtimore familjarët e dëshmorëve dhe martirëve e të pranishme së bashku me kryetarin e Komunës dhe përfaqësuesit institucional kanë pare nga afër ekspozitën me fotografi të vendeve ku janë kryer masakrat nga gjenocidi serb në Komune e Lipjanit.

Po ashtu, gjatë ditës së sotme përfaqësuesit nga Komuna e Lipjanit të prirë nga Kryetari Imri Ahmeti kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta me lule në kompleksin memorial në Sllovi, pastaj kanë vazhduar me homazhe edhe në fshatrat Akllap dhe Tërbofc.

Komuna e Lipjanit ka organizuar akademi përkujtimore për shënimin e 24-vjetorit të rënies së martirëve të kësaj komune, raporton Ekonomia Online.

24 vjet më parë në fshatin Sllovi për dy ditë, më 15 dhe 16 prill 1999, forcat serbe vranë 45 civilë. Në Ribar të Vogël, më 18 prill 1999, nga forcat ushtarake, militare e paramilitare serbe në këtë fshat u vranë 25 civilë. Në Hallaq të Vogël, më 19 prill 1999, forcat ushtarake, policore e paramilitare pushkatuan e vranë 20 civilë. Në prill te vitit 1999 po ashtu u vranë edhe martirë nga Tërboci, Akllapi e Blinaja.  

Të ngjashme