Konferenca që u braktis

Prishtinë | 02 Jan 2023 | 10:54 | Nga Afrim Kasolli

79 vjet kanë kaluar që nga përfundimi i Konferencës së Bujanit. Ajo kishte për qellim që ta afirmonte të drejtën për vetëvendosje për popullin e Kosovës.

Mirëpo, me perfundimin e luftes konkluzionet e kësaj konference u braktisën nga iluzioni se zgjidhja e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Kosovës në veçanti nuk ka nevojë të kërkohet sikur se në rastin e çështjeve tjera nacionale në këtë hapësirë gjeopolitike, por ajo duhet të ndërlidhet më triumfin e proceseve afatgjata historike.

Se, bie fjala, fitorja e komunizmit do të shërbente si solucion magjik edhe për këtë kauzë nacionale. Pra vetëm shqiptarëve u thuhej se në vend se të angazhohen për interesat e tyre nacionale, ata duhet luftojnë për ide planetare. Dhe në këtë mënyrë do të dilnin fitimtarë pas “përfundimit të historisë”. Bie fjala nëse të tjerët i përdoren këto ide për ta fuqizuar pozicionin e tyre nacional, kundër shqiptarëve ato u përdoren si instrument për t’i përtharë interesat e tyre kombëtare.

Rusët i shfrytëzuan ide të tilla për ta shtrirë hegjemoninë e tyre nacionale. Nën emrin e modelit sovjetik dhe shtetit klasor ata ia dolën që t’i mbajnë të kolonizuar popujt e tjerë të Lindjes për më shumë se gjysëm shekulli. Të tjerët ishin armiq të klasës, parajsës së premtuar dhe shpëtimit përfundimtar që providenca historike e kishte ngarkuar Rusinë ta jetësonte. Serbët po ashtu e përdoren shtetin e Jugosllav në funksion të synimeve të tyre për dominim.

Se sa naive, cinike dhe djallëzore ishin paravane të tilla nuk ka nevojë të flitet më shumë. Shqiptarët e paguan shtrenjtë çmimin e këtij mashtrimi. Nën këtë manipulim një pjesë e rinisë shqiptare u instruktua dhe komandua që të luftonte në fronte e largëta për çlirimin e qyteteve jugosllave. Ndërkohë territoret e tyre pushtoheshin nga bandat çetnike të maskuara si komunistë dhe pjesë e të ashtuquajturës vëllazëria proletare. Këtë dredhi e kuptoi me kohë Shaban Polluzha me shokët e tij. Por, ai mbeti i vetmuar. Sepse rezistenca e tij nuk u përkrah as nga Tirana zyrtare dhe as nga komunistët kosovarë. Fundi i asaj kryengritje dihet nga të gjithë ne.

Çuditërisht këto ideosinkrazi nuk u braktisën plotësisht kurrë. Madje as në ditët e sotme. Edhe kur filloi dezintegrimi i ish-Jugosllavisë, shqiptareve u thuhej se çështja e tyre mund të zgjidhej me triumfin e demokracisë në këtë rajon. Se ata duhet të prisnin deri në demokratizmin final të Serbisë. Dhe në fund të këtij procesi afatgjatë do t’i gëzonin të drejtat e tyre nacionale, kulturore, politike dhe njerëzore. Ne vend te permirisimit ky iluzion e nxiti politiken shteterore serbe ta reduktonte projektin ndaj tjereve vetem me ane te gjenocidit. Kosova ishte viktima e fundit kesaj ideje.

Madje, nën efektet e kësaj paradigme për më shumë se një dekadë u organizuan edhe bisedimet në Bruksel. Në këtë mënyrë shpresohej se me anë të procesit të dialogut dhe kompromiseve nga ana jonë, do të ndihmohej evropianizimin i Serbisë. Dhe asaj s’do t’i mbetej gjë tjetër, pos pranimit të shtetit të Kosovës. Por, shteti fqinj as nuk u demokratizua edhe as nuk u evropianizua. Përkundrazi, politika e tij u betonua edhe më shumë në fantazmat e së kaluarës, në doktrinën e “botës serbe” dhe rolin e saj destruktiv rajonal. Tensionet e vazhdueshme qe ky shtet ka nxitur ne Kosove, Bosnje dhe Mal te Zi, jane shprehje e ketij mentalitetit nacionalist malijn serb.

Ky përfundim morbid tregon se ka qenë dhe është gabim çasja që e mbanë të bllokuar Kosovën me proceset e brendshme në Serbi. Sepse praktikisht në këtë mënyrë frenohet zhvillimi dhe avancimi i saj për shkak të iluzioneve për dominim të politikës serbe.

Askush më shumë se shqiptarët e Kosovës nuk e ka paguar tagrin e këtij mentaliteti hegjemonik.

Të ngjashme