Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se Kosova mund t’i përfitojë fondet nga Plani i Rritjes vetëm nëse i zbaton reformat dhe obligimet e parapara, derisa tha se instrumenti financiar përfundon me buxhetin aktual të Bashkimit Evropian në fund të vitit 2027, raporton Ekonomia Online.
E pyetur nëse Kosova rrezikon t’i humbasë fondet në rast se nuk krijohen institucionet deri në qershor për shkak të zgjedhjeve të parakohshme, Kos tha se pagesat varen nga përmbushja e detyrimeve nga ana e Kosovës.
“Pra, ky Plan i Rritjes bazohet në një instrument të veçantë financiar me disa rregulla. Dhe rregullat janë që, nëse vendi juaj, Kosova, i zbaton detyrimet, atëherë mund t’i merrni pagesat. Jam shumë e lumtur që gjatë kësaj periudhe zgjedhore dhe periudhës së përkohshme, parlamenti juaj ka qenë në gjendje t’i ratifikojë dy marrëveshje të rëndësishme, të cilat sërish e kanë bërë të mundur pagesën e parë, prej më shumë se 60 milionë eurosh”, tha ajo.
Kos tha se tashmë janë duke u bërë përgatitjet për disbursimin e parë të mjeteve, por theksoi se afati i këtij instrumenti financiar përfundon në vitin 2027.
“Tani jemi në përgatitje për ta bërë disbursimin e parë. Fatkeqësisht, ky instrument përfundon me buxhetin aktual të Bashkimit Evropian në fund të vitit 2027. Kështu që mënyra e vetme që Kosova të jetë në gjendje t’i marrë këto para është përmes zbatimit të reformave, por ne gjithashtu kemi një përvojë shumë të mirë, dhe së shpejti do të fillojnë periudhat e para të Planit të Rritjes”, tha ajo.
Ajo u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të shfrytëzojnë këtë periudhë për të avancuar me reformat dhe procesin e Planit të Rritjes.
“Pra, cili është qëllimi im sot? Në fakt, ka qenë përshtatja e kohës për ta përdorur këtë moment, por gjithashtu edhe për kryenegociatorin apo udhëheqësin e Planit të Rritjes. Ju lutem, bëni gjithçka që është e mundur. Do të ishte për të ardhur keq që qytetarët, natyrisht, të mos i gëzonin frytet e këtyre paraqitjeve”, tha ajo.
