Kosova asnjëherë nuk ka pasur protesta sociale, qeveritë tradicionalisht kanë zgjedhur rrugë më të lehta

Prishtinë | 25 Gus 2022 | 20:03 | Nga Demush Shasha

Sot Kosova i ngjanë shumë Mbretërisë së Bashkuar në vitet 70-at. Në vitet 70-at ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar hyri në recesion. Inflacioni arriti në 30%, ndërsa papunësia arriti rekordin 30-vjeçar. Sikur sot ky ishte rezultati i disa faktorëve të jashtëm, por edhe ekonomisë jo produktive dhe fuqisë tejet të madhe të sindikatave. Përkundër situatës ekstreme ekonomike, sindikatat kërkonin rritje të pagave. Fuqia e tyre ishte e jashtëzakonshme. Grevat sindikale rrëzuan dy qeveri, para ardhjes së Thacherit në pushtet.

Kur Thatcheri u bë Kryeministre ajo kishte identifikuar sindikatat si pengesë kyçe për rimëkëmbjen e mbretërisë. Ajo madje i etiketoi ata si “armiqtë e shtetit”. Shumë qytetarë anglez kishin simpati ndaj kërkesave sindikale pasi që familjet punëtore angleze ishin duke u përballur me kushte tejet të vështira ekonomike.

Implementimi i reformave ekonomike, privatizimi agresiv, mbyllja e ndërmarrjeve jo profitabile dhe dobësimi i sindikatave rezultonin me papunësi të madhe në mesin e familjeve angleze. Por reformat e Thatcherit përkundër se ishin jopopullore ishin domosdoshme. Ajo do të fiton tre parë zgjedhje dhe do e gëzoj besimin e qytetarëve për 11 vite të ardhshme – gjë që ende mbetet rekord i një Kryeministri anglez në 137 vite të fundit.

Sot Kosova i ngjan edhe Francës së vitit 2019. Në dhjetor 2019 në Paris u mblodhën 1 milion protestues kundër reformës së sistemit pensional. Kjo ishte protestë me masive në histori moderne të Francës. Sistemi pensional i Francës është i shekullit të kaluar dhe pengesë serioze për produktivitetin ekonomik të Francës. Por njëkohësisht çfarëdo reforme e sistemit pensional është dëshmuar të jetë varrezë politike për politikanët francez. Përkundër kësaj Macroni ka kuptuar se këto reforma edhe pse jopopullore, janë të domosdoshme. Kësisoj Macroni nuk u dorëzua përball protestave dhe shtyri përpara reformën e sistemit pensional. Këtë vit ai u bë President i parë francez në 20 vite të fundit i cili fiton mandatin e dytë.

Ajo çfarë po tentoj të them nuk është se sindikatat dhe protestat janë të këqija. Krejt e kundërta. Mungesa e tyre është e keqe. Mungesa e protestave është indikacion se nuk ka reforma. Është indikacion se jemi në stagnim. Reformat prishin status-quonë dhe lëvizin shtetin në stade më të avancuara të zhvillimit. Kosova asnjëherë nuk ka pasur protesta sociale, pasi që qeveritë tradicionalisht kanë zgjedhur rrugët më të lehta sesa reformat. Është me lehtë me rrit pagat, se me kërku llogaridhënie. Kësisoj pak nga pak, duke rrit pagat gjithkujt kemi krijuar një monstër në sistemin e pagave publike, ku kriteret janë gjithçka përveç llogaridhënia, cilësia dhe vlera për para. Kjo lloj qeverisjeje ka dëmtuar rëndë kredibilitetin e shërbimeve publike. Prandaj sot ka më shumë spitale private se pompa benzinit. Prandaj sot sistemi para-universitar i Kosovës është i fundit në botë. Prandaj sot Universiteti i Prishtinës është i parafundit në botë. Po korrim atë që kemi mbjellur.

Sot nuk fajësoj SBASHK-un për veprimet e tyre sindikale. Ashtu siç nuk fajësoj sindikalistet anglez, apo pensionistet francez. Çdo kush mbron interesin e tyre, në formën që ata mendojnë është e duhura. Fajësoj partitë politike të cilat kanë degraduar këtë sistem arsimor në monstër i cili është duke u ushqyer çdo ditë nga e ardhmja e mohuar e fëmijëve tanë. I fajësoj për mungesën e guximit për të sakrifikuar pushtetin e tyre për reformat e shtetit. I fajësoj për vendosjen e interesit të partisë, para interesit tonë.

Të ngjashme