Kosova kërkon të dhëna për “Babalen”, e ai azil

Prishtinë | 08 Sht 2018 | 11:23 | Nga

Autoritet Kosovare kërkojnë informacion për njeriun që trazoi politikën shqiptare, Albert Veliun. I njohur ndryshe si “Babalja”, dëshmitari X, po qëndron në Kosovë, ku ka kërkuar edhe azil.

Albert Veliu ose siç njihet tashmë me nofkën “Babalja” vijon të qëndrojë në Kosovë, ku së bashku me të birin i është nënshtruar procedurave të marrjes ose jo të azilit, shkruan Shqiptarja. Pak kohë më parë autoritet e drejtësisë së Kosovës kanë kërkuar informacion pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke u interesuar nëse ndaj Veliut kishte nisur një hetim penal apo jo në Shqipëri. Nga ana tjetër mësohet se prokurorët e Krimeve të Rënda, i kanë kthyer përgjigje ministrisë së Brendshme Kosovare, duke i pohuar se Albert Veliu nuk është nën hetim. Por ai është pyetur në cilësinë e dëshmitarit që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, lidhur me audio-përgjimin e realizuar mes tij dhe shtetasit Agron Xhafaj. Kjo ishte vetëm një përgjigje që ka dërguar Krimet e Rënda në Kosovë, ndërkohë autoritet e këtij shteti kanë kërkuar të dhëna për Veliun edhe nga institucioneve të tjera.

Si hyri në Kosovë dhe si u arrestua

Megjithëse ka dështuar herën e parë për të lënë Shqipërinë dhe hyrë në Kosovë, “Babalja i PD” ka mundur të kalojë kufirin nga fshati Viçidol i Tropojës,duke hyrë në Kosovë, shtet në të cilin ka kërkuar së bashku me të birin azil politik. “Bashkëpunëtori X” i Partisë Demokratike, Albert Veliu ka kërkuar azil politik në Kosovë. Bashkë me të birin ata janë ndaluar gjatë një kontrolli normal në zonën e Shtimës në afërsi të Prishtinës por ka rezultuar se ata nuk e kishin kaluar kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës në mënyrë të rregullt. Hetimet paraprake të policisë së Kosovës kanë zbuluar se Albert Veliu dhe i biri nuk figuronin të rregjistruar në sistemin e kufirit si në atë të Kosovës dhe TIMS në Shqipëri. Kaq ka mjaftuar për policinë e cila ka njoftuar menjëherë prokurorin e gatshëm në prokurorinë e Prishtinës e cila ka urdhëruar arrestimin e tyre. Ndaj tyre është ngritur akuza për kalim të jashtëligjshëm kufiri. Po ashtu prokurori i ngarkuar për këtë çështje e ka kërkuar arrestimin edhe për shkak të dyshimeve të tjera. Menjëherë pas arrestimit Veliu i ka deklaruar prokurorit të çështjes se kërkon azil politik, pasi është larguar nga Shqipëria për arsye sigurie pasi i kërcënohet jeta.

E ndihmuan dy persona doli nga Viçidoli

Dyshimet e para se kush e nxori Albert Veliun e djalin e tij në Kosovë, lidhen me një person të njohur në selinë e PD me origjinë nga Tropoja, i cili ka mbajtur një funksion të rëndësishëm në kohën kur president dhe kryeministër ishte zoti Berisha. Të dhënat e para që disponon policia shqiptare lidhen me faktin se Albert Veliu dhe i biri, i shoqëruar nga dy persona kanë kaluar ilegalisht nga fshati Viçidol e më pas kanë kaluar në fshatrat e Gjakovës. Kjo është tentativa e dytë e Albert Veliut për t’u arratisur. Ditën kur Partia Demokratike transmetoi videodëshminë e Albert Veliut, ai tentoi të largohej me taksi në drejtim të Kosovës. Por në hyrje të Kukësit në një lokal ai është ndaluar nga Forcat Operacione dhe është sjellë në Tiranë. Prokurorët e krimeve të rënda për më shumë se 5 morë e morën në pyetje Albert Veliu për llogari të hetimeve për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” dhe “Kallëzimit të rremë”.

Të ngjashme