Komiteti Olimpik i Kosovës ka nisur sot aktivitetet për të shënuar Ditën dhe Javën Olimpike 2025, duke përfshirë 26 komuna të vendit nën moton “Të lëvizim”, raporton Ekonomia Online.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, njoftoi se ngjarjet do të zgjasin deri më 22 qershor dhe do të organizohen në bashkëpunim me Federatën Sportive Shkollore dhe federata të tjera sportive.
Aktivitetet synojnë të promovojnë vlerat olimpike si përfshirja, miqësia, respekti dhe një stil jetese aktive.
“Po e fillojmë sot me aktivitetin shumë të rëndësishëm për Lëvizjen Olimpike në Kosovë e cila është Java dhe Dita Olimpike që fillon sot dhe mbaron më 22 qershor. E veçantë është se këtë herë i kemi 26 komuna të cilat na janë bashkuar në organizimin e kësaj ngjarje të Ditës Olimpike. Motoja e kësaj javë është ‘Të lëvizim’ dhe ftojë të gjithë që të na bashkohen në këtë aktivitet që e organizon Komiteti Olimpik i Kosovës. Përveç Komitetit Olimpik të Kosovës, është Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, Komuna e Prishtinës. Sa i përket formatit, do të luhet në stadiumin ‘Ramiz Sadiku’, do të nisën në orën 20:30 në mbrëmje dhe do të përfundojë po atë natë dhe do të zhvillohet në formatin 7+1, pra në fushë të vogël, me nga dy ndeshje në të njëjtën kohë në mënyrë që të përfundojë brenda tri orëve maksimumi”, deklaroi Krasniqi.
Kryetari i Komisionit për organizimin e Javës dhe Ditës Olimpike, Halil Sylejmani, ka njoftuar se aktiviteti kryesor i kësaj jave festive do të zhvillohet më 20 qershor në Prishtinë.
Ai tha se dita do të karakterizohet me një program të pasur sportiv, kulturor dhe argëtues për të gjitha moshat, duke përfshirë edhe fëmijët e çerdheve.
“Dita kryesore është më 20 të këtij muaji dhe kjo shënohet me program të pasur sportiv, kulturor, argëtues për të gjitha moshat, nuk ka absolutisht diçka që i lë anash aktivitetet olimpike për të promovuar vlerat e edukimit dhe bashkëpunimit ndërkomunitar dhe gjitha shtresat janë të kyçura që nga çerdhet e më tutje që kjo ditë të jetë e shënuar dhe t’i tregojmë edhe të tjerëve jashtë Kosovës që ne jemi aktiv dhe besoj që kemi dhënë promovimin si Komitet Olimpik ku edhe marrim pjesë”, njoftoi Sylejmani.
10 mijë persona fëmijë dhe të rritur dhe do të përfshijë aktivitete të shumta në qytete të ndryshme të Kosovës, Java Olimpike 2025 do të zgjasë nga data 16 deri më 22 qershor.