14 shkurti është data zyrtare e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, në të cilën qytetarët e Kosovës i adresohen kutive të votimit për përzgjedhjen e një përbërje të re të Kuvendit të Kosovës.
Pas përfundimit të heshtjes zgjedhore një-ditore, të dielën, me hapjen e kutive në orën 07:00 në qendrat e votimit, do fillojnë procedurat e votimit deri më ora 19:00.
Në ora tetë të mëngjesit, do të mbahet konferenca e parë e Komisionit Qëndror Zgjedhor, përgjegjës për mbikëqyrjen e mbarëvajtjes së votimit, për njoftimin e hapjes së qendrave të votimit. Ndërkaq, në konferencën e pestë të këtij komisioni, do të kumtohen rezultatet preliminare të subjekteve politike, pas mbylljes së kutive të votimit në ora 19:00.
Në zgjedhjet e kaluara, të drejtë votimi kanë gëzuar 1,972,955 qytetarë, teksa 875,721 prej tyre ose 44.39% e qytetarëve e kanë shfrytëzuar të drejtën demokratike për përzgjedhjen e Kuvendit të ri.
Sipas publikimit të KQZ’së për trendët zgjedhore, “për dallim të votimit të rregullt, pjesëmarrja në votime, si total, përmes votimit jo të rregullt (votat me kusht, me postë) ka mbetur i përafërt në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës”.
Ndryshe nga votimi i rregullt, votimi përmes postës nga diaspora ka filluar më 2 shkurt, teksa fletëvotimet janë pranuar nga KQZ’ja më 12 shkurt. Ndërkaq, dje janë pranuar nga ky komision 16 mijë pako me vota nga diaspora në Kosovë, për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Komisioni për Zgjedhjet, kësaj radhe, për herë të parë do të mbajë e vetme zgjedhjet qëndrore, për shkak të mungesës së ndihmës nga misioni i OSBE’së për mbikëqyrjen e procesit zgjedhor.
Për shkak të pandemisë koronavirus, për herë të parë Bashkimi Evropian, nuk do të dërgojë ekipën e saj për vëzhgimin e zgjedhjeve. Mirëpo, stafi i ambasadave dhe vet ambasadorët janë zotuar se do jenë vëzhguesit e procesit të zgjedhjeve, krahas mijëra organizatave jo-qeveritare të Kosovës.
Prokuroria e Shtetit ka caktuar 88 prokurorë, bashkë me 40 zyrtarë nga sistemi prokurorial, që së bashku me Policinë e Kosovës, do mbikëqyrin parregullsitë evidente përgjatë procesit zgjedhor.
Në anën tjetër, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka caktuar 30 gjyqtarë kujdestar për t’iu përgjigjur kërkesave nga Prokuroria e Shtetit.