Frashër Krasniqi, edhe zyrtarisht është deputet i Kuvendit të Kosovës. Kjo pasi që Krasniqi ka marrë leje nga gjyqtari i rastit Beqir Kalludra për lirim nga arresti shtëpiak vetëm për regjistrim, raporton Ekonomia Online.
Pas regjistrimit ai tha se edhe pse është i akuzuar bashkë edhe me tre aktivistë të VV-së, popullin e ka votuar se nuk i beson strojeve të montuara për ta.
“Sot unë u regjistrova në Kuvend si deputet i zgjedhur por mendjen e kam te Atdhe Arfi, Adea Batusha, Egzon Haliti që janë në burg dhe jemi për një storje të montuar. Për mua fakti që qytetarët e Republikës së Kosovës, fillimisht e kanë votuar Lëvizjen Vetëvendosje në mënyrë masive, pastaj më kanë votuar edhe mua si deputet nga arresti shtëpiak, tregon që populli i Kosovës ka vendosur të mos i besoj montimeve dhe të pavërtetave që i ka bërë “Klani Pronto”, përmes gjykatave të cilat i ka kapur. Pra qytetarët e Kosovës, kanë vendosur t’i besojnë të vërtetës, që është thënë prej Lëvizjes tash e shumë kohë dhe veçanërisht të vërtetës në lidhje me pafajësinë tonë, në raport me rastin për të cilin akuzohemi. Kështu që unë mendoj që ky është një legjitimim i asaj, që ne e kemi thënë deri tash. Dhe në anën tjetër është një shuplakë për Gjykatat e kapura të cilat kanë montuar dhe vazhdojnë të montojnë raste ndaj aktivistëve të lëvizjes VV”, tha ai.
Ai ka thënë se në Kuvend do të jetë zëri i të gjithë atyre që u bëhet padrejtësi. Krasniqi tha se bashkë edhe me 31 deputetët e tjerë do të kërkojnë drejtësi deri në zbardhjen e rastit të Astrit Deharit.
“Do të kujdesem në mënyre të vendosur që ta ngris zërin për drejtësi që askujt të mos i ndodhin padrejtësi. Prandaj unë do të shfrytëzoj Kuvendin e Republikës së Kosovës, që të mos ndalem asnjëherë së kërkuari drejtësi edhe për rastin tonë, e veçanërisht drejtësi për rastin e vdekjes së Astrit Deharit, shokut dhe aktivistit tonë”, u shpreh Krasniqi, raporton EO.
Ai ka sqaruar se ka marrë leje edhe për seancë konstituive që do të mbahet më 3 gusht, por që do të kërkojë leje edhe për seancat e tjera.
Krasniqi po vuan masën e arrestit shtëpiak, pas aktakuzës së ngritur për terrorizëm. Ai bashkë me disa aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes dyshohen se kanë sulmuar vitin e kaluar ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.