Kritikohet vendimi i gjykatës serbe për lirimin e Cvjetanit

Prishtinë | 26 Pri 2018 | 13:12 | Nga

Fondi për të Drejtën Humanitare ka kritikuar lirimin e parakohshëm të Sasha Cvjetanit, duke thënë se gjatë gjyqit ai nuk ka shprehur kurrë keqardhje dhe pretendonte se procesi ishte “politik”.

Cvjetan ishte një anëtar i njësitit “Shkorpionët”, i cili mori pjesë në vrasjen e 14 shqiptarëve në Podujevë me 28 mars të vitit 1999. Nga të vrarët kishte gra dhe fëmijë.

“Bëhet fjalë për gra dhe fëmijë, por edhe se ai gjatë gjithë vazhdimit të procesit ka mohuar fajësinë e tij, duke thënë se ky proces i është montuar politikisht”, tha Ivana Zhaniq, juriste në Fondin për të Drejtën Humanitare.

“Gjykata ka gabuar që i ka dalë përballë kërkesës së Cvjetanit dhe se është dashur që të merren parasysh edhe vetë rrethanat nën të cilat ai e ka kryer veprën penale”.

Një gjykatë në Serbi e liroi Cvjetatin duke thënë se tashmë ai kishte kaluar dy të tretat në burg. I dënuar me 20 vjet ai është dashur të lirohet në vitin 2021.

Në masakrën e Podujevës pesë persona kanë shpëtuar duke marrë plagë të rënda. Njëra nga ta është edhe Saranda Bogujevci e cila u plagos me 16 plumba.

Ajo sot është deputete në Kuvendin e Kosovës.

Të ngjashme