Krivaqa pretendon se Marigona Osmani e kishte pranuar se e kishte tradhtuar me djalin e hallës së tij

Prishtinë | 09 Nën 2022 | 12:19 | Nga Ekonomia Online

I akuzuari, Dardan Krivaqa thotë se tani e ndjera, Marigona Osmani e kishte pranuar se e kishte tradhtuar me djalin e hallës se tij. Ai këtë deklarim e bëri të mërkurën në Gjykatën Themelore të Ferizajt, ku ai bashkë Arbër Sejdiu, po akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e të ndjerës, Marigona Osmanit.

Mirëpo, një deklarim të tillë e ka kundërshtuar dëshmitari, Endrit Pupa, i cili thotë se ajo për çka po e akuzon Dardan Krivaqa nuk është aspak e vërtetë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykimi është duke vazhduar.

Gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi më 2 shtator 2022, ka marrë aktvendim në bazë të së cilit i ka refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, të parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve, ndërsa të akuzuarve Krivaqa dhe Sejdiu, iu konfirmua aktakuza.

Kurse, më 23 gusht 2022, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se mbrojtësit e të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët ngarkohen për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani në gusht të vitit 2021, kanë kërkuar hedhjen e aktakuzës.

Më 14 korrik 2022, është mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.

Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit./BpD

Të ngjashme