Kryeinspektori i Mitrovicës thotë se e rrahu mafia e ndërtimit, rastin e ka denoncuar në Polici

Prishtinë | 02 Maj 2020 | 18:10 | Nga Ekonomia Online

Kryeinspektori i Punës për Rajonin e Mitrovicës, Nexhat Fazliu, të mërkurën është sulmuar fizikisht gjatë orarit të punës nga persona të panjohur. I njëjti nga lëndimet që ka marrë është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës. Për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

Në një bisedë për Gazetën Express, Fazliu ka treguar për dyshimet se pse është sulmuar.

Sulmin ndaj tij, Fazliu e lidh me kryerjen e detyrës zyrtare, meqenëse thotë se personalisht nuk ka probleme me asnjë person.

Ai dyshon se sulmi është organizuar nga mafia e ndërtimit, derisa ka treguar se rastin e ka raportuar në Polici.

“Unë jam sulmuar pa besisht, në një pritë të organizuar nga persona të maskuar ende të panjohur, dhe kam pësuar disa lëndime trupore. Në këtë rast është sulmuar direkt Shteti i Kosovës, sepse është sulmuar vetura zyrtare e Republikës së Kosovës dhe unë si zyrtar i Qeverisë së Republikës së Kosovës, unë deri sot nuk kam asnjë problem personal me askënd, por kjo dyshohet se ka të bëjë me kryerjen e detyrës zyryare (dyshohet se ma kanë organizuar Mafia e Ndertimit)”, ka thënë Fazliu për Express.

Fazliu thotë se para më shumë se një muaji kishte kërcënime nga disa persona të njohur për policinë, madje edhe në prani të tyre, por se të njëjtit nuk ishin arrestuar.

Sipas tij, inspektorët nuk mbrohen nga shteti.

“Shtrohet pyetja, se si ka mundësi ti mbrojmë ne inspektorët punëtorët e shkelur nga mafia e ndërtimit dhe të natyrave të ndryshme, kur ne inspektorët nuk mbrohemi nga shteti. Une para rreth një muaj apo dy, jemi kërcenuar nga persona të njohur për policinë dhe në prezencë të policëve dhe na kanë përcjellur për dy apo tri orë dhe policia nuk i ka arrestuar dhe i kemi shkrujt email zyrtar edhe komandandatit të staacionit Jugu në Mitrovice lidhur me kete rast, mirepo nuk kemi marr imfornatë se çka është bërë me këtë rast”, ka deklaruar Fazliu.

“Viktima mashkull kosovar ka pësuar lëndime trupore pasi është sulmuar fizikisht nga dy të dyshuar të panjohur. Përveç lëndimeve po ashtu janë shkaktuar dëme materiale edhe në veturën që e kishte në shfrytëzim viktima. I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Rasti në hetime”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Express.

Sulmin ndaj Fazliut e ka dënuar edhe kryeinspektori i Punës, Valon Leci.

Ai e ka dënuar këtë akt, derisa ka kërkuar nga organet e rendit që ta zbardhin rastin.

“Dje është sulmuar udhëheqësi i Divizionit për Rajonin e Mitrovicës. Policia janë duke i bërë hetimet. Ai është sulmuar gjatë orarit të punës. E dënoj këtë akt dhe kërkoj nga organet e rendit që ta zbardhin rastin dhe sulmuesit ta marrin dënimin e merituar”, ka thënë Leci për Express.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme