Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, së bashku me zëvendëskryeprokurorin Labinot Jetishi, kanë pritur sot në një takim pune Drejtorin e Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, dhe përfaqësues të kësaj akademie, me të cilët kanë diskutuar për bashkëpunimin institucional dhe zhvillimin profesional të prokurorëve.
Gjatë takimit, Kryeprokurori Kryeziu ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy institucioneve, duke theksuar rëndësinë e ngritjes së vazhdueshme të kapaciteteve profesionale.
“Bashkëpunimi me Akademinë e Drejtësisë ka qenë i rëndësishëm për avancimin profesional të prokurorëve dhe stafit mbështetës. Ngritja e vazhdueshme e kapaciteteve profesionale mbetet një nga prioritetet tona për të garantuar efikasitet dhe cilësi në punën e prokurorisë”, ka deklaruar Kryeprokurori Kryeziu.
Në fokus të diskutimeve kanë qenë nevojat për trajnime profesionale të prokurorëve të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe mundësitë për përfshirjen e tyre në plan-programet trajnuese të Akademisë së Drejtësisë.
Drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e programeve të zhvillimit profesional.
“Akademia e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për të mbështetur institucionet e sistemit të drejtësisë përmes programeve cilësore të trajnimit. Jemi të gatshëm të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prizren në funksion të avancimit profesional të prokurorëve”, është shprehur Fejzullahu.
Të dyja palët ritheksuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit institucional, me synim forcimin e profesionalizmit, rritjen e efikasitetit dhe zhvillimin e vazhdueshëm të sistemit prokurorial në vend.