Kryesia e PDK-së nuk mund të vendosë për emrat e ministrave

Prishtinë | 08 Sht 2017 | 21:42 | Nga Albulena Avdiu

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nuk ka mundur të vendosë për emrat e ministrave të saj në Qeverinë Haradinaj as në mbledhjen që e ka mbajtur në mbrëmje, megjithëse kjo ishte paralajmëruar nga nënkryetari Enver Hoxhaj.

Kjo ishte mbledhja e dytë gjatë ditës së premte e Kryesisë së kësaj partie, e cila do t’i ketë gjashtë ministra.

Më herët gjatë ditës, Enver Hoxhaj kishte thënë se diskutuan vetëm për programin që duhet ta ketë qeveria e ardhshme dhe jo për emra konkretë.

Por, ai kishte paralajmëruar se në mbledhjen e orës 20, kryetari Kadri Veseli do të paraqiste listën me emrat e drejtuesve të resorëve qeveritarë, të cilën do ta miratonte dhe formalisht Kryesia.

Pas mbledhjes së mbrëmjes nuk ka folur askush për mediet. Por, jozyrtarisht, merret vesh se emrat do të miratohen të shtunën, para seancës së Kuvendit të Kosovës.

Sipas marrëveshjes për bashkëqeverisje, PDK-ja do të ketë një zëvendëskryeministër dhe 6 ministri:
– Ministrinë e Financave
– Ministrinë e Shëndetësisë
– Ministrinë e Kulturës, të Rinisë dhe të Sporteve
– Ministrinë e Integrimeve
– Ministrinë e Drejtësisë
– Ministrinë e re të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë

Emra potencialë për ministra të PDK-së janë: Uran Ismaili, Besim Beqaj, Abelard Tahiri etj. Kurse si zv.kryeministër po përmendet Enver Hoxhaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme