Kujtohen të vdekurit dhe të plagosurit nga sulmi terrorist në Zelandë të Re

Prishtinë | 16 Mar 2019 | 09:26 | Nga Ekonomia Online

Njerëz të shumtë janë mbledhur sot në sheshin Aotea të Aucklandit të Zelandës së Re, që të mbajnë zi për viktimat që kanë humbur jetën dje nga sulmi që ndodhi në dy xhami në Christchurch të këtij shteti.

Mediat lokale raportojnë se mijëra njerëz ishin duke mbajtur zi në orët e hershme të kësaj të shtune, po ashtu pritet që edhe shumë persona tjerë të mbajnë zi në të gjithë vendin.

Mbështetjen e tërë komunitetit e vlerëson imami i xhamisë së dytë ku ndodhi sulmi në Linwood, Ibrahim Abdul Halim.

Ky imam tha se të gjithë myslimanët akoma ndihen si në shtëpinë e tyre.

“Fëmijët e mi jetojnë këtu, ne jemi të lumtur. Ne e duam ende këtë vend”, tha Ibrahim Abdul Halim.

Ndërsa në parkun botanik Gardens të Christchurch, banorët kanë vendosur lule për t’i respektuar viktimat e këtij sulmi.

Xhamitë që u sulmuan mbeten të mbyllura nga policia.

Pos Zelandës së Re me të vdekurit dhe të plagosurit u solidarizuan njerëz ane mbanë vendeve të botës, kështu dritat e Kullës Eiffel në Paris janë fikur në përkujtim të këtyre viktimave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme