Kurti: Vetëvendosja ka fituar dhe do të formojë qeverinë e re

Prishtinë | 09 Shk 2025 | 23:29 | Nga Hasan Hoti

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, ka falënderuar të gjithë votuesit për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet e 9 shkurtit duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në këto zgjedhje, duke u konfirmuar si partia e parë që do të formojë Qeverinë e re të Kosovës, “Kurti 3”, raporton Ekonomia Online.

Kurti shtoi se ky rezultat është një pasqyrim i suksesit të Qeverisë aktuale, duke e konsideruar këtë fitore si një vërtetim të legjitimitetit dhe besimit të qytetarëve.

Ai tha se ata që dolën të dytët dhe të tretët edhe po të mblidhen bashkë nuk bëjnë sa Vetëvendosja.

“Zgjedhjet ishin të lira demokratike dhe të ndershme, falënderojë të gjitha votuesit pra jemi të parët dhe ky është një konfirmim për një qeverisje të mirë dhe demokratike. Gjithashtu koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re, pra Kurti 3 dhe në këtë mënyrë do të vazhdojmë punët që kemi nisur. Besoj që qytetarët e kanë dëshmuar suksesshëm rezistencën e tyre, oligarkët kanë shpenzuar para pa hesap kanë kërcënuar punëtoret dhe kemi pasur premtime më absurd që ka krijuar atmosferë iracionale. Ne jemi subjekti fitues i cili do ta formojë qeverinë e ardhshme. Atë që dolën të dytët dhe të tretët edhe po të mblidhen bashkë nuk bënë sa Vetëvendosja. Vetëvendosja fitoj dhe ecim bashkë drejtë qeverisjes së re”, ka thënë ai.

Kryetarja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla, theksoi se kjo është vetëm një fitore preliminare dhe se do të udhëheqin me përkushtim në katër vitet e ardhshme.

“Sot kjo ditë ka shënuar një fitore të madhe të koalicionit tonë, kryeministri e tha kemi vetëm rezultate premilinare. Do të udhëheqim me ndershmëri në katër vitet e ardhshme”, ka theksuar Gërvalla.

Ndërkaq, Mimoza Kusari-Lila, kryetarja e Partisë Alternativa, theksoi se grupi i saj ka marrë mandatin për të formuar Qeverinë e re Kurti 3, e cila do të vazhdojë qeverisjen pas certifikimit të rezultateve dhe numërimit të votave të diasporës.

“Dua të falënderoj të gjithë për një pjesëmarrje masive në këto zgjedhje, grupi ynë pa kontestueshëm ka marrë mandatin për të formuar qeverinë e re Qeveria Kurti 3 e cila vazhdon qeverisjen në Kosovë prej momentin të certifikimit dhe pas numërimit të votimit të votave të diasporës”, ka thënë Kusari-Lila.

Të ngjashme