Kush është përgjegjës për krizën aktuale energjetike në Kosovë?

Prishtinë | 25 Dhj 2021 | 20:19 | Nga Mehmet Gjata

Nuk ka diskutim se për dështimet një pas një në energjetikë, fajin e ka qeverisja e keqe, e padijshme dhe ç’është më keq, e korruptuar me sektorin e energjetikës në nivelin institucional në dy dekadat e shkuara. Për shkak të politikave miope të qeverive të deritashme në energjetikë, megjithë kushtet e mira të eksploatimit të linjitit (qymyrit të bollshëm në sipërfaqe të tokës), që mundësojnë favore në afarizëm, Kosova ka dështuar keq në sektorin e energjisë në shumë hallka të tij.

Tani, pas shpërfaqjes “për lëndinë” të krizës energjetike edhe në vendin tonë, vrullshëm, pa një pa dy, dolën shumë veta, të dijshëm dhe politikisht të ndikuar, por edhe të padijshëm vetëm sa për të thënë diçka, ose për të t’u bërë protagonistë në rrjetet sociale, të cilët identifikuan fajtorin për gjendjen e krizës elektroenergjetike, për rikthimin e reduktimeve goxha ekstreme (të mos kesh dy orë e më shumë rrymë gjatë ditës është reduktim i egër dhe ekstrem). Kush tjetër pos qeverisë aktuale, asaj Kurti 2.

Disa nga të “diturit dhe nga të gjithëditurit”, madje ironizuan me krekosje se “nuk deshët termocentral të ri dhe nuk deshët gazin dhe tani e keni terrin” etj. Dhe pa e zgjatur për të përmendur teza e teza të të “gjithëditurëve” për fajin e kësaj qeverie për krizën aktuale, pa asnjë hamendësim dhe pa asnjë dilemë, them se edhe për gjendjen aktuale energjetike, fund e krye janë fajtore të padiskutueshme qeveritë e deritashme që nga viti 2000. Pra, nuk ka diskutim se për dështimet një pas një në energjetikë fajin e ka qeverisja e keqe, e padijshme dhe ç’është më keq, e korruptuar me sektorin e energjetikës në nivelin institucional në dy dekadat e shkuara.

Për shkak të politikave miope të qeverive të deritashme në energjetikë, megjithë kushtet e mira të eksploatimit të linjitit (qymyrit të bollshëm në sipërfaqe të tokës), që mundësojnë favore në afarizëm, Kosova ka dështuar keq në sektorin e energjisë në shumë hallka të tij. Për të qenë i saktë me pohimet e shpërfaqura edhe në këtë tekst, do të paraqes kronologjikisht dështimet ndër vite, që nga 2000-ta e deri më 2020-n, aq sa lejojnë mundësitë të paraqiten në një tekst, qoftë edhe analitik gazetaresk. Që në ditët e para të pasluftës, të alarmuar nga mungesa e energjisë elektrike dhe kriza që i kanosej me shpejtësi Kosovës nga pasojat e mospasjes mjaftueshëm rrymë për konsumin e vendit, kur terri në njëfarë mënyre kërcënoi ta kolapsonte vendin, njohësit e proceseve ekonomike dhe zhvillimore kërkuan me ngulm nga zyrtarët dhe auroritetet vendimmarrëse që prioritet mbi prioritetet e institucioneve të Kosovës, të jetë ndërtimi i një kapaciteti të ri energjetik, edhe para autostradës së kombit dhe para zbatimit të procesit të privatizimit. Pak a shumë, atëherë ishin identifikuar nevojat për kapacitetet e reja energjetike.

Në dokumente të ndryshme zyrtare thuhej se synimet e politikave qeveritare, të prezantuara edhe në të gjitha Strategjitë e Energjisë së Kosovës, përveç planeve për kapacitete të reja gjeneruese të energjisë elektrike, kanë për qëllim edhe përfshirjen e sektorit privat në projektet infrastrukturore të TC-ve të reja ku do të përfshiheshin zhvillimi, dizajni, ndërtimi, financimi, pronësia, mirëmbajtja dhe operimi në përputhje me standardet dhe kriteret ndërkombëtare. Shumica e ideve dhe vizioneve parashihnin ndërtimin e një termocentrali të ri, meqenëse Kosova kishte shumë thëngjill dhe rezerva të mjaftueshme të tij për periudha më të gjata (rezervat e linjitit vlerësohen të jenë të mjaftueshme për të furnizuar energjetikën kosovare disa qindra vjet të ardhshme, ose siç vlerësohet në shumicën e studimeve Kosova ka mbi 14 miliardë tonelata qymyr të mundshëm për t’u eksploatuar).

Ekspertët e shumtë pretendonin të ndërtohej urgjentisht një termocentral i ri. Më të ekuilibruarit e parashihnin si të domosdoshëm një termocentral me fuqi diku rreth 500-600 megavatësh. Ndërsa pati të tillë, sish nga euforikët, madje edhe autoritete deri të ministrat, që ishin përcaktuar definitivisht për ndërtimin e një megatermocentrali, ose një numri sish, me fuqi deri në 2.100 megavatësh, pa pasur, siç duket, fare parasysh, se çdo të bëhej me popullsinë, pra me kosovarët që jetojnë e gjallojnë mu në afërsi të drejpërdrejtë të këtij shkatërruesi potencial të ambientit, florës, faunës dhe ajrit e ujërave të Kosovës (një nga përkrahësit e këtij megaprojekti që gjithsesi do të ishte shkatërrues i ardhmërisë së Kosovës, ka qenë dhe vazhdon të jetë sot e kësaj dite ish-ministri Ethem Çeku).

Një variant i mesëm, po në vazhdën e kërkesave për kapacitete të reja energjetike ishte ndërtimi i një TC-je me fuqi 1000-1.200 megavatë-orësh. Pas “rënies në ujë” të të gjitha këtyre parashikimeve, në të shumtën me fajin e vendimmarrësve tanë, më në fund Qeveria e Kosovës i dha kompanisë ContourGlobal statusin e ofruesit të preferuar në vitin 2015 për zhvillimin e termocentralit të ri me kapacitet 2 herë 300 megavatë, të emërtuar si ‘Kosova e Re’.

Qeveria e Kosovës dhe ContourGlobal në ndërkohë nënshkruan Marrëveshjet Komerciale për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re në dhjetor të 2017-s, u saktësuan edhe afatet e ndërtimit. Nga qeveritarët u tha se Termocentrali ‘Kosova e Re’ do t’i sjellë vendit furnizim të besueshëm me energji si themel për investime në të ardhmen të cilat do të nxisin zhvillimin ekonomik në Kosovë. Ndërtimi i impiantit do të krijojë mundësi për vende të reja pune, si dhe punësim afatgjatë me të filluar operimi i impiantit. Dhe prap nuk u bë asgjë.

Siç dihet, edhe ky projekt ka dështuar tashmë. Kosovën e re në këtë variant, pos ish-qeveritarëve të cilët e mbrojtën me ngulm dhe pa bindje, të gjithë kosovarët e tjerë, praktikisht e refuzuan. Kundër tij ishin shoqëria civile në radhë të parë, ekspertët, njohësit e zhvillimeve energjetike, por edhe institucionet financiare vendore dhe ndërkombëtare, të cilat e shihnin projektin si shumë të dëmshëm financiarisht për Kosovën dhe si të tillë edhe një ndër gjeneruesit e ardhshëm potencial të krizave financiare që do ta kaplonin vendin.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në Buletini Ekonomik)

Të ngjashme