Kuvendi në Shqipëri sot në seancë të jashtëzakonshme

Prishtinë | 16 Jan 2019 | 09:30 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi do të mblidhet sot në orën 17:00 në një seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar dekretet e Presidentit Meta për shkarkimin e 6 ministrave dhe zëvendëskryeministres, si dhe për emërimin e 7 ministrave dhe zëvendëskryeministrin, transmeton Klan Kosova.

Mbledhja e seancës së Kuvendit vjen pak ditë pas ndryshimeve që ndodhën në kabinetin qeveritar dhe është kërkuar nga kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit, mbledhja e parë për këtë vit duhet të niste në datën 21 janar.

“Bazuar në nenin 74, pikat 2 dhe 3 të Kushtetutës dhe në nenin 42, pika 2 të Rregullores së Kuvendit, me kërkesë të Kryeministrit, njoftojmë se Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet në sesion të jashtëzakonshëm. Kryetari i Kuvendit ka nxjerrë urdhrin nr. 1, datë 15.1.2019 me rendin e ditës të përcaktuar”, thuhet ne njoftimin e Kuvendit për mbledhjen e seancës.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama nga mbledhja e Kryesisë së PS vendosi që të propozonte veten në postin e ministrit të Jashtëm. Ky vendim erdhi pas refuzimit nga Meta të emrit të Gent Cakajt në postin e kryediplomatit.

LISTA ME NDRYSHIMET:
Ikën Arben Ahmetaj, vjen Anila Denaj
Ikën Damian Gjiknuri, vjen Belinda Balluku
Ikën Mirela Kumbaro, vjen Elva Margariti
Ikën Lindita Nikolla, vjen Besa Shahini
Ikën Sonila Qato, vjen  Eduard Shalsi
Ikën Niko Peleshi, vjen Bledi Çuçi
Ikën Senida Mesi, vjen Erion Braçe, shkruan lapsi.al.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme