Ky është pronari i lokalit në Prizren që u kap mat në bodrum duke luajtur bixhoz me 12 shokët e tij

Prishtinë | 04 Pri 2022 | 15:58 | Nga Ekonomia Online

Pronari i një lokali në rrugën “Njazi Alishani” në Prizren ka përfunduar në paraburgim, nën dyshimin për organizim të lojërave të fatit. I njëjti u arrestua më 3 prill, pak pas mesnatës, pasi në bodrumin e lokalit të tij u kapën 12 persona duke luajtur bixhoz. Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për Sebajdin Gashin, i cili doli sot para Gjykatës Themelore në Prizren.

Gjykata ka marrë vendim që të njëjtit t’ia caktojë masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Lajmin e ka bërë të ditur për Sinjalin zëdhënësi i gjykatës, Marcel Lekaj.

“Departamenti i Përgjithshëm, ndaj të pandehurit S.G., ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, e cila masë mund të zgjasë deri me datë 03.05.2022, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën organizimi i skemave piramidale dhe bixhozi të paligjshëm nga neni 294 par.2 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”

Sebajdin Gashi dyshohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore ka organizuar dhe ndihmuar në organizimin e lojërave të fatit në lokalin e tij. Ai u kap bashkë me 12 persona të tjerë duke luajtur me letra në bodrumin e lokalit.  

“Nga provat e mbledhura deri në këtë fazë ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti në orët e mesnatës, në bodrumin e lokalit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër organizon apo ndihmon në organizimin e bixhozit, lojërave të llojit të kazinove apo lojërave të fatit siç përcaktohet me ligj, duke e ofruar lokalin e tij për të cilat lojëra nuk i është dhënë leja, licenca apo koncesioni i organit kompetent, në atë mënyrë që pas një kontrolle rutinor nga patrulla e Stacionit policor në Prizren, në bodrumin e lokalit të tij janë hasur këtu i pandehuri dhe 12 (dymbëdhjetë) të pandehurit të tjerë, duke luajtur bixhoz dhe nga policia janë arrestuar të gjithë”, thuhet në përgjigjen e Lekajt për Sinjalin.

Sipas gjykatës, me rastin e caktimit të paraburgimit është marrë parasysh pesha e rëndë e veprave penale, rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale dhe rreziku i përsëritjes së veprës nëse i dyshuari lihet në liri.

Lidhur me rastin ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, ku ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar 1 aparat, letra, çipa dhe fletore.

Në njoftimin e djeshëm të Policisë thuhet se pronari ka deklaruar se personat që luanin në lokalin e tij e kanë paguar nga 1 euro për një lojë.

“Veprimet e Policisë kanë qenë të menjëhershme, ku brenda lokalit me mbishkrimin “OBESSS”, kanë hasur personat te cilët kanë qenë duke luajtur bixhoz me letra në një tavolinë. Pronari deklaron se disa persona kanë luajtur bixhoz, ku atij i kanë paguar nga 1 (një) Euro për një orë loje. Në lidhje me veprimet policore është kontaktuar prokurori i shtetit i cili ka udhëzuar që të sekuestrohen sendet e gjetura në cilësinë e provave materiale: Një aparat bixhozi “KAJOT”, Letra për lojë, Cipat për bixhoz dhe Disa fletore për shënime”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme