Lansohet projekti për transformimin e gjelbër të bizneseve, kërkohet përshtatje me standardet evropiane

Prishtinë | 18 Qer 2026 | 16:46 | Nga Ekonomia Online

Është lansuar projekti “Transformimi i gjelbër i ndërmarrjeve private në Kosovë”, i financuar nga Zvicra dhe Suedia, me synim mbështetjen e bizneseve kosovare në përshtatjen me standardet e reja të qëndrueshmërisë dhe rritjen e konkurrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare. Përfaqësues të institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë theksuan se tranzicioni i gjelbër nuk është më vetëm një çështje mjedisore, por një domosdoshmëri ekonomike për ndërmarrjet që synojnë zhvillim të qëndrueshëm, qasje në tregjet evropiane dhe përmirësim të produktivitetit, raporton Ekonomia Online.

Jeton Mehmeti, Zëvendësministër në detyrë i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit tha se janë dukë punuar që të krijojnë kushte për bizneset që të punojnë.

“Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë shtylla kryesore e ekonomisë sonë. Ato krijojnë vende pune, gjenerojnë investime dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, ato përballen edhe me një realitet të ri ekonomik, ku tregjet evropiane dhe globale kërkojnë standarde gjithnjë e më të larta të qëndrueshmërisë, efikasitetit dhe burimeve të inovacionit.
Për bizneset kosovare, veçanërisht ato që eksportojnë ose synojnë të eksportojnë, tranzicioni i gjelbër nuk është vetëm një përgjegjësi mjedisore, por ajo është një domosdoshmëri. Ai është një mundësi konkrete për të rritur konkurrueshmërinë, për të përmirësuar produktivitetin dhe për të siguruar qasje më të madhe në tregjet ndërkombëtare. Pikërisht për këtë arsye, Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron transformimin e gjelbër si një pjesë të rëndësishme të agjendës sonë për zhvillim ekonomik dhe për integrim evropian. Si ministri, jemi të përkushtuar të krijojmë kushte që mundësojnë ndërmarrjet të investojnë, të inovojnë dhe të zhvillohen”, tha Mehmeti.

Ai tha se transfomimi i gjelbër kërkon angazhim institucional të të gjitha hallkave si publike ashtu edhe private.

“Kjo nënkupton në krijimin e përmirësimit të klimës së biznesit, mbështetjen e inovacionit, avancimin e politikave industriale dhe përputhjen graduale me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.
Transformimi i gjelbër kërkon angazhim të përbashkët. Asnjë institucion dhe asnjë sektor nuk mund ta realizojë këtë i vetëm. Vetëm përmes partneritetit, koordinimit dhe investimeve të përbashkëta mund të krijojmë një ekonomi konkurruese, më inovative dhe më të qëndrueshme. Jam i bindur se ky projekt do të kontribuojë në forcimin e ekosistemit të inovacionit, po ashtu edhe të transformimit të gjelbër në Kosovë, duke ndihmuar ndërmarrjet tona të përgatiten më mirë për sfidat dhe mundësitë e së ardhmes”, tha Mehmeti.

Beate K. Elsaesser, Udhëheqëse e Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Ambasadën e
Zvicrës në Kosovë tha se tranzicioni i gjelbër po bëhet gjithmonë e më shumë pjesë e agjendave të vendeve.

“Ne shpesh dëgjojmë se ndryshimet klimatike janë një nga sfidat përcaktuese të kohës sonë, dhe vërtet janë. Ndryshimet klimatike, humbja e biodiversitetit, ndotja dhe presioni gjithnjë në rritje mbi burimet natyrore nuk janë më shqetësime të largëta mjedisore. Ato janë realitete ekonomike. Ato ndikojnë në mënyrën se si operojnë bizneset, si konkurrojnë vendet, ku drejtohen investimet dhe si shoqëritë krijojnë prosperitet për brezat e ardhshëm.Pikërisht për këtë arsye, tranzicioni i gjelbër nuk është më thjesht një agjendë mjedisore. Ai po bëhet gjithnjë e më shumë një nga agjendat më të rëndësishme ekonomike të kohës sonë. Dhe nëse ka rëndësi për ekonominë, ka rëndësi edhe për Kosovën. Të gjithë tashmë po i shohim ndikimet e ndryshimeve klimatike. Reshjet më të pakta të borës po ndikojnë në turizëm. Bujqësia po bëhet më e ndjeshme ndaj ndryshimeve të modeleve të motit. Në të njëjtën kohë, bizneset përballen me pritshmëri të reja nga tregjet, investitorët dhe konsumatorët.Kompanitë që eksportojnë në tregjet evropiane gjithnjë e më shumë duhet të përmbushin rregullore dhe standarde të reja. Qëndrueshmëria nuk është më një kërkesë margjinale; ajo po bëhet një kusht për konkurrueshmëri.Kjo ngre një pyetje të rëndësishme për bizneset: Si të mbetemi konkurrues? Si të përshtatemi? Dhe si t’i shndërrojmë këto sfida në mundësi? Përgjigjja jonë është e qartë: duke përqafuar tranzicionin e gjelbër”, tha Elsaesser.

Sara Lindblom, Udhëheqëse në Detyrë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Ambasadën e Suedisë në Prishtinë tha se tranzicioni i gjelbërt ndihmon në uljen e kostove dhe përmirësimin e kushteve.

“Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë shtylla kurrizore e ekonomisë së Kosovës. Ato krijojnë vende pune, mbështesin familjet, sjellin idetë në jetë dhe i mbajnë komunitetet të gjalla dhe të qëndrueshme. Kur një biznes lokal ka sukses, përfitimet shtrihen shumë përtej vetë kompanisë. Punëtorët fitojnë të ardhura, familjet fitojnë stabilitet, të rinjtë fitojnë arsye për të qëndruar, për të investuar dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu në Kosovë. Dhe pikërisht për këtë arsye, mbështetja e ndërmarrjeve ka rëndësi. Sot, bizneset në mbarë Evropën po përballen me pritshmëri të reja. Konsumatorët po kërkojnë produkte më të gjelbra. Tregjet po shpërblejnë gjithnjë e më shumë efikasitetin dhe inovacionin. Investitorët po i kushtojnë vëmendje më të madhe qëndrueshmërisë. Për disa biznese, këto ndryshime mund të duken sfiduese, por ato krijojnë edhe mundësi të reja. Tranzicioni i gjelbër nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e mjedisit; ai ka të bëjë edhe me çlirimin e mundësive të reja. Ai ndihmon kompanitë të ulin kostot, të përmirësojnë cilësinë, të kenë qasje në tregje të reja dhe të bëhen më konkurruese”, tha Lindblom.

Matthias Herr, Drejtor Rajonal për Evropën Lindore, tha se agjencia zvicerane, “Helvetas” për Kosovën është e rëndësishme diskutimi për tranzicionin e gjelbërt.

“Kur njerëzit dëgjojnë termin tranzicioni i gjelbër, ata shpesh mendojnë fillimisht për mbrojtjen e mjedisit. Por për shumë biznese, kjo bisedë fillon diku tjetër. Ajo fillon me rritjen e kostove të energjisë, shtrenjtimin e burimeve, ndryshimin e pritshmërive të konsumatorëve dhe kërkesat e reja nga tregjet evropiane. Në mbarë Evropën, qëndrueshmëria nuk është më një temë margjinale. Ajo po bëhet pjesë e mënyrës se si kompanitë konkurrojnë, si bëhen investimet dhe si funksionojnë zinxhirët e furnizimit. Për Kosovën, kjo diskutim është veçanërisht i rëndësishëm. Ndërsa vendi vazhdon rrugëtimin e tij drejt integrimit evropian, bizneset do të operojnë gjithnjë e më shumë në një treg më të gjerë, ku konkurrueshmëria, inovacioni, standardet e cilësisë dhe qëndrueshmëria kanë rëndësi më të madhe se kurrë më parë. Prandaj, tranzicioni i gjelbër nuk është vetëm një agjendë mjedisore, por edhe pjesë e përgatitjes së ekonomisë së Kosovës për mundësitë dhe kërkesat e një të ardhmeje evropiane më të integruar”, tha Herr.

Të ngjashme