Libia shpall gjendje të jashtëzakonshme në rajonin mesdhetar

Prishtinë | 11 Mar 2019 | 11:07 | Nga Ekonomia Online

Për shkak të vazhdimit të mosmarrëveshjeve dhe përleshjeve në mes grupeve rivale, Libia është ende larg të arrijë stabilitetin dhe sigurinë politike

Qeveria e konsensusit kombëtar të Libisë ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka urdhëruar mobilizimin në rajonin Sirte në bregdetin e Mesdheut.

Ky vendim erdhi pasi forcat besnike të gjeneralit në pension Khalifi Haftar, apo Ushtria Kombëtare Libiane, ishte nisur drejt pjesëve jugore të qytetit.

Qeveria e mbështetur nga Kombet e Bashkuara u ka bërë thirrje të gjitha forcave të armatosura besnike që të jenë në gjendje alarmi.

“Çdo përshkallëzim i sulmit do të thotë shpallje lufte, pasojat e të cilës do të ishin katastrofike”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Në Libi sundon krizë e thellë politike dhe e sigurisë që nga viti 2011 pas vrasjes së Muamar Gadafit. Që atëherë, në pushtet janë qeveritë paralele me seli në Tripoli dhe Tobruk, me parlamente të ndara dhe forca të armatosura.

Në fund të vitit 2015, përfaqësuesit e qeverive paralele libiane nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara nënshkruan një marrëveshje për themelimin e Qeverisë së Konsensusit Kombëtar.

Plani ishte që qeveria të marrë pushtetin në vend dhe të shpallë zgjedhjet parlamentare brenda 12 muajve. Për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme, kjo nuk është zbatuar plotësisht deri më tani, kështu që Libia është ende larg të arrijë stabilitetin dhe sigurinë politike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme