Limaj kundër zgjedhjeve: Vështirësojnë pozicionin e vendit në arenën ndërkombëtare

Prishtinë | 28 Tet 2018 | 09:23 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të ndodhin, mirëpo vetëm atëherë kur është në interes të Kosovës. Sipas tij, parimor është interesi shtetëror para atij partiak.

Ai ka përsëritur në një prononcim për Ekonomia Online se e rëndësishme është bashkimi i strukturave politike për interesa në të mirë të vendit, ndërsa ka thënë se ndërmjet tyre duhet të arrihet konsensus i përbashkët, raporton Ekonomia Online.

Limaj tha se Kosova ka çështje të tjera më të rëndësishme me të cilat duhet të merret, para se të hyjë në zgjedhje të parakohshme duke vlerësuar se vendi nuk duhet të mbes peng i tyre, por të vazhdojë në zhvillime të tjera.

Kryetari i Nismës Soialdemokrate ka thënë se nuk ka asnjë sinjal se këtë vit do të ketë zgjedhje të reja, ndërsa takimet e fundit të partisë të cilën ai e drejton, i ka quajtur të zakonshme, të punës brenda partisë.

“Natyrisht i kemi disa prioritete që duhet me i përfundu. Unë besoj që duhet me i pa interesat e vendit. Interesi i vendit është me e fitu liberalizimin e vizave, interesi i vendit është sa më shpejtë me shku drejt antarësimit në Interpol, interesi i vendit është me i kthy energjitë tona në zhvillimet tona, në kapacitetet tona  ekonomike, interesi i Kosovës është për tema nacionale. Partitë politike nuk duhet të kalkulojnë partiakisht por të çojnë në konsensus të përbashkët. Këto janë tema të cilat e ndihmojnë vendin”.

“Kurdo që zgjedhjet e parakohshme janë në interesin e Kosovës, besoj që duhet t’i hapet rrugë. Tani për tani interesi i Kosovës janë temat që i thash. Ne nuk duhet të mbesim peng i zgjedhjeve ose projekteve të ndryshme. Do të shohim para se gjithash cili është interesi i Kosovës. Kurdo që vlerësohet që interesi i Kosovës është zgjedhje, pse jo, nuk duhet me e mbajtë vendin peng”.

“Por ne po besojmë që sot interesi i Kosovës është bashkimi i forcave politike në tema nacionale, konsensusi sa më i gjerë dhe Qeveria me i kry detyrat e veta që i ka në agjendën e vet qeveritare. Këto janë interesi i Kosovës dhe këto janë prioritetet që duhet t’i ketë Kosova dhe Qeveria e Kosovës”.

“Këtë vit askush nuk ka pritje reale, besoj e dini se nuk ka asnjë shenjë që do të ketë zgjedhje këtë vit, por ne si parti punojmë dhe zhvillohemi, forcohemi, përgatitemi, kontaktojmë me elektoratin tonë, bashkëbisedojmë, raportojmë me elektoratin për të arriturat dhe kjo është një jetë politike normale që ne vazhdojmë e bëjmë rregullisht”.

“Situatë e tillë e pashmangshme e zgjedhjeve të parakohshme, krijohet kur ju nuk i kryeni  detyrat e juaja, kur temat nuk i përmbyllim, kur Qeveria nuk e kryen detyrën e vet. Deri më tani nuk kemi pa sinjale të tilla”.

Limaj ka deklaruar se zgjedhjet e parakohshme nuk e ndihmojnë vendin, madje sipas tij, ato mund ta vështirësojnë pozicionin e vendit në arenën ndërkombëtare. Ai pret që dialogu Kosovë-Serbi të bashkojë forcat politike e asesi të dërgojë vendin në zgjedhje.

“Unë po pres që shumë shpejt çështja e dialogut të na bashkojë, jo që të na çojë në zgjedhje. Po pres shumë shpejt që shumica e deputetëve të parlamentit të Kosovës të votojnë delegacionin shtetëror për bisedime dhe ta normalizojmë këtë situatë”.

“Kosova do të jetë e pjekur dhe të ketë delegacionin e gatshëm për të tejkaluar këtë sfidë shumë të rëndësishme dhe përfundimisht vendi ynë të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëe e cila e hap perspektivën euroatlantike të vendit tonë”.

“Në çfarëdo varianti janë zgjedhjet, ne duhet të jemi bashkë, pa një konsensus të gjerë dhe pa u bashkuar është vështirë, është sfidë e madhe dhe në çfarëdo rrethane duhet të jemi bashkë”.

“Kisha thënë që Kosova nuk ka nevojë me humb kohë, këtu është çështje kohe dhe nuk guxojmë me zbeh imazhin e vendit tonë, kapacitetin tonë negociues dhe tutje duhet të kemi parasysh të gjitha këto. Nuk duhet të kalkulojmë ngushtësisht në interesa partiake të cilat mund ta dëmtojnë pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Zëvendëskryeministri tha për EO se për të çështja e krijimit të ushtrisë është e përfunduar, ndërsa shtoi se pret që Kuvendi i Kosovës të vazhdojë punën e vet kushtetuese krahas detyrave që ka marrë.

“Unë po pres që Kuvendi të kryejë detyrën e vet. Po pres zhvillime të reja në Kuvendin e Kosovës, ku praktikisht, Kuvendi i Kosovës të zhbllokohet dhe të kryejë detyrat e veta kushtetuese ashtu siç e ka marrë mandatin e tij dhe siç ka premtuar para qytetarëve kur e ka marrë votën”.

Të ngjashme