Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, priti në takim Koordinatorin përgjegjës të Qeverisë Gjermane për çështje dhe marrëdhënie Transatlantike dhe njëherësh anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme, Peter Beyer, ku diskutuan rreth ndërmarrjeve publike me theks të veçantë Telekomin e Kosovës dhe termocentralin “Kosova e Re”.
Ministri Lluka gjatë takimit e njoftoi Beyer-in rreth gjendjes aktuale të ndërmarrjeve publike qendrore, reformat të cilat janë ndërmarrë dhe synimet e Qeverisë së Kosovës për privatizimin e Telekomit të Kosovës.
“Qeveria e Kosovës, veçanërisht MZhE, duke parë gjendjen e Telekomit të Kosovës është duke u munduar që brenda dy viteve ta privatizojë atë dhe ta kthejë në gjendje profitabile. Ndërsa për sa i përket ndërmarrjeve publike qendrore në përgjithësi, janë ndërmarrë reforma si dhe është miratuar projektligji i ri, i cili ndër të tjera synon që të përmirësojë funksionimin e tyre”, tha ministri Lluka.
Gjithashtu, Lluka e informoi Peter Beyer-in rreth ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, për rëndësinë jetike që ka për bizneset vendore si dhe për punën që është duke u bërë në projektet e energjisë së ripërtërishme, ku deri në vitin 2020 pritet të arrihet synimi që 25% e energjisë së prodhuar të jetë nga energjia e ripërtërishme.
Po ashtu u nda edhe një shqetësim ku si pasojë e moszbatimit të marrëveshjes së interkoneksionit me Serbinë, ka humbje të mëdha në sektorin e energjisë.
Ministri kërkoi përkrahje nga Beyer në implementimin e kësaj marrëveshje të cilën e konsideroi jetike për bizneset dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.