Lluka: Gjendja në Telekomin e Kosovës, e paqëndrueshme

Prishtinë | 09 Kor 2018 | 16:57 | Nga

Ministri Valdrin Lluka vlerëson se gjendja në Telekomin e Kosovës s’është e mirë, gjersa bën të ditur se Qeveria e Kosovës po bën përpjekje në implementimin e zgjidhjes për tejkalimin e situatës  së krijuar.

Gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Evropiane të të Punësuarve në Shërbimet Publike, Bert Van Caelenberg dhe me kreun e Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, Ministri i Zhvillimit Ekonomik shprehu gatishmërinë e ekzekutivit për t’i dhënë zgjidhje cështjes.

Lexoni të plotë njoftimin e MZHE-së:

Ministri Lluka ka njoftuar Sekretarin e Eurofedop me zhvillimet e përgjithshme në sektorin publik, me theks të veçantë në Telekomin e Kosovës dhe rëndësinë që ka dialogu social në trajtimin e të gjitha çështjeve, posaçërisht ato që janë me interes për punëtorët.

Kreu i MZHE e vlerësoi gjendjen në Telekomin e Kosovës si të paqëndrueshme, mirëpo  MZHE, së bashku me tërë Qeverinë e Kosovës janë në vazhdën e implementimit të zgjidhjeve për tejkalimin e kësaj situate. Prandaj, edhe me këtë rast është e nevojshme mbështetja e sindikatës dhe e tërë punëtorëve, meqenëse zgjidhjet e ofruara janë edhe me interes për punëtorët.

Ministri potencoi që ka pasur takime të vazhdueshme me sindikatën dhe shprehu  gatishmërinë e plotë të MZHE-së dhe të Qeverisë për të bashkëpunuar dhe për të mbështetur dialogun social si e mekanizmin më efikas për tejkalimin e të gjitha çështjeve me interes të përgjithshëm.

Edhe Sekretari i  Eurofedop, Bert Van Caelenberg potencoi se situata në Telekomin e Kosovës është mjaft e vështirë, duke kërkuar që institucionet të gjejnë një zgjidhje të favorshme për të gjithë dhe të gjitha këto çështje të orientohen përmes dialogut social.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme