Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, pas takimit kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për “Promovimin e Efiçiencës së Energjisë në nivel lokal përmes zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë”, raporton Ekonomia Online.
Me këtë memorandum bashkëpunimi do të testohet pilot projekti i zbatimit të masave të Efiçiencës së Energjisë, ku parashihet të përmirësohet ndriçimi publik i Komunës së Deçanit. Kjo marrëveshje arrin shumën totale prej 51 mijë euro, ku 46 mijë euro do të ndahen nga MZHE-ja dhe 5 mijë euro nga Komuna e Deçanit.
Ministri Lluka tha se përveç ndikimit publik me efiçiencë, do të krijojnë edhe kapacitete rezervë për ujë të pijes, raporton EO.
“Nënshkruam memorandum bashkëpunimi për të bërë ndriçim publik efiçient për Deçanin. Do të shikojmë mundësi për të krijuar kapacitete rezervë të ujit të pijes sepse Deçani ka nevojë për kapacitete shtesë të ujit. Do të shikojmë mundësit të rigjenerimit të ujit për hidro dhe mbulimin për rrjetet e energjisë elektrike në disa vende. Për efiçiencë kemi ndarë 46 mijë euro. Kjo është llampa e parë pastaj do të fillojmë me zgjerimin e saj”, tha ministri Lluka.
Ramosaj tha se ky është një fillim i mbarë dhe se përveç kësaj marrëveshje ka edhe disa tema tjera që duhet biseduar për komunën e Deçanit.
“Kemi pas një takim pune, nënshkruam memorandum bashkëpunimi për efiçiencë. Po besoj që kemi edhe 4-5 tema tjera gjatë vitit për t’i futur në funksion për komunën e Deçanit. Është fillim i mbarë po besoj që në të ardhmen kemi me pas edhe bashkëpunim që qytetarët me pas produkt që e kemi parashiku për vitin 2019-të me arrit”, tha Ramosaj.