Përveç temave të mëdha nacionale të cilat karakterizuan vitin 2018, problemet me ndërmarrjet publike kishin vëmendjen kyçe nga institucionet dhe shoqëria civile.
Ky vit e gjeti Postën në prag të falimentimit, solli tërheqjen e Bankës Botërore nga ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” dhe përpjekjet për shndërrimin e Trepçës në shoqëri aksionare.
Mirëpo sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka tha se viti 2019 do të jetë vit i zgjidhjes së problemeve me ndërmarrjet publike.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se në fund të janarit, përkatësisht në fillim të muajit shkurt, Trepça do të regjistrohet si shoqëri aksionare.
“Definitivisht po, dhe ka me qenë në fillim të vitit. Menjëherë që fillon parlamenti punën në muajin janar unë besoj që një ndër temat e para që do të futet në votim është statuti i Trepçës, pasiqë çdo gjë është finalizuar, ka shkuar në parlament, para dy ditëve i kemi dërguar një letër kryeparlamentarit Kadri Veseli, që me shti në agjendë sa më shpejt me prioritet Trepçën, kërkon vetëm një votim, nuk ka lexim të parë e të dytë siç janë ligjet dhe unë besoj që në muajin janar eventualisht në fillim të muajit shkurt do ta kemi Trepçën e regjistruar si shoqëri aksionare dhe ky do të jetë fillim i mbarë për Trepçën”.
“…pastaj fillon edhe rekrutimi apo punësimi i menaxhmentit të lartë, dhe pastaj ato procedurat tjera që do të jenë në thithjen e investitorëve private, pra kapitalin e huaj si dhe menaxhimin nga ekspert të fushës qofshin ekspert të huaj apo vendor, ku do të jenë në forma të ndryshme dhe jo ashtu si një ndërmarrje e zakonshme publike të cilën nuk ka efikasitet të mirëfilltë për ta zhvilluar Trepçën aty ku dëshirojmë ta kemi”, tha ai, raporton Ekonomia Online.
Lluka ka folur edhe për problemet me Telekomin dhe Postën derisa ka shtuar se në vitin 2019 problemet në këto ndërmarrje do të zgjidhen. Fillimisht është menduar që ato të rimëkëmben e më pasë të privatizohen.
“Posta dhe Telekomunikacioni janë të ndërlidhura, Posta varet shumë me Telekomin e Kosovës për arsye të të ardhurave që ka të hyrat kryesore i ka nga Telekomi. Telekomi ka me qenë fokusi kryesor në zhvillim e sidomos në vitin 2019 do të karakterizohet me termin e veçantë që do të jetë privatizimi”.
“Pra, ne presim që shumë shpejt tash në komisionin ndërministror për ndërmarrje publike vetëm e kem aprovuar një rekomandim për qeverinë e Kosovës ku kemi rekomanduar që të fillojmë procedurat për privatizimin e Telekomit dhe një gjë të tillë presim të jetë edhe fillimi i vitit 2018 dhe çdo pjesë e vitit të karakterizohet me privatizimin e Telekomit dhe me ristrukturimin e Telekomit”.
“Pra, fillimisht ristrukturimi, përmirësimi i situatës, rritja e vlerës e pastaj privatizimi dhe kjo do të jetë një pjesë e rëndësishme e kohës time gjatë 2019-ës që do të merrem me Telekomin dhe normalisht sa më mirë do të jetë Telekomi më mirë do të jetë edhe Posta, dhe me këtë rast edhe me Postë duhet të shikojmë në vazhdimësi të bashkëpunojmë në vazhdimësi aktivitetet qeveritare që ndërlidhen përmes postës dhe ato ti rrisim në mënyrë që ta rrisim inkasimin apo rritjen e qarkullimit për Postën”, tha ai.
Ndërkaq për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, ai ka thënë se në prill të 2019-ës do të fillojë ndërtimi nëse nuk do të sfidohet votimi i në Kuvend.
“Me 10 dhjetor ka qenë afati i caktuar për pjesën teknike të termocentralit ‘Kosova e Re’, kanë konkurruar 3 kompani si pjesë finale, njëra nuk ka arrit të konkurroj me kohë për arsye se ka kërkuar në vazhdimësi shterjen e afatit gjë që nuk e kemi aprovuar herën e fundit dhe këto kompani tash e kanë 15 janarin afatin për ofertën financiare dhe në fund të janarit do ta kuptojmë se cila është kompania fituese e këtij projekti për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re. Përpos kësaj, në muajin mars e kemi një afat tjetër jashtëzakonisht me rëndësi ku aprovohet apo nuk aprovohet financimi nga OPIC-u amerikan dhe në kompani japoneze”.
“…këto dy institucione kanë shpreh interesim për financim të termocentralit dhe normalisht merr një kohë deri në muajin mars ku duhet të aprovohet dhe pastaj sfida e radhës do të jetë parlamenti i Kosovës ku kërkohen 2/3 e votave për vazhdimin e kësaj marrëveshje dhe nëse çdo gjë shkon në rregull deri në muajin prill në parlament, atëherë ne besojmë që nga muaji prill e tutje, mund të vendoset gurthemeli dhe të filloj ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’ me shpresë që mund të përfundoj sipas gjitha gjasave në fund të 2022 apo në fillim të 2023”, tha ai, raporton EO.
Si prioritet për vitin që po vjen, i pari i Ministrisë së Zhvillimit, ka thënë se do të jetë edhe sektori i teknologjisë informative. Sipas tij, projekti për digjitalizimin ekonomik në vend do të fillojë me 1 janar.
“Sektori i teknologjisë informative gjithashtu e ka një rëndësi shumë të madhe në vitin 2019 për arsye se kemi filluar projektin tash fillon me 1 janar projekti për digjitalizimin ekonomik të vendit. Është projekt i nënshkruar dhe i aprovuar nga Banka Botërore si kredi e butë me rreth 26 milionë dollar dhe ky projekt gjithashtu do të jetë ndër projektet kyçe që do të përmendet në vitin 2019 për arsye se e përmirëson infrastrukturën e sektorit të teknologjisë informative në vend”, tha ai.