Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Valdrin Lluka, ka marrë pjesë në marshin e organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve. Ai më pas ka bërë homazhe pranë Obeliskut të të Zhdukurve, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se me Serbinë nuk do të ketë marrëveshje, e as paqe midis dy vendeve, për aq sa nuk zbardhet fati i të zhdukurve dhe kriminelët të dalin para drejtësisë.
Postimi i plotë:
Nuk ka marrëveshje me Serbinë, e as paqe mes dy vendeve, për aq sa nuk zbardhet fati i të zhdukurve dhe kriminelët nuk sjellën para drejtësisë!
Sot në marshin për ditën ndërkombëtare për personat e zhdukur, me nënat dhe familjarët e atyre që na mungojnë, bëmë homazhe para përmendores së dedikuar për personat e zhdukur.
Qeveritë në Serbi gjatë 20 viteve të fundit kanë refuzuar çdo mundësi për të zbardhur fatin e të zhdukurve të luftës së fundit në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare ka dështuar për të obliguar qeveritë në Serbi për të bërë këtë, përderisa Qeveritë në Kosovë, pa përjashtim, nuk kanë bërë mjaftueshëm për të prioritizuar e trajtuar me seriozitet këtë çështje.
Aleanca Kosova e Re në mandatin e ri qeverisës do të vë në kryje të prioriteteve fatin e të zhdukurve. Dialogu me Serbin nuk mund të vazhdojë për-aq sa nuk ekziston një platformë e qartë dialoguese e cila vë në theks nevojën dhe kërkesat e qytetarëve për të rënët dhe të zhdukurit, sjelljen e fajtorëve para drejtësisë, pranimin e fajit e kërkim faljen.