Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm për kompaninë rajonale të ujitjes “Drini i Bardhë” dhe kompaninë rajonale të ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” janë shqetësuese, të papranueshme dhe në kundërshtim me politikat e ministrisë që udhëheqë.
Ai ka paralajmëruar llogaridhënie në bazë të gjeturave.
Postimi i plotë:
Të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm për kompaninë rajonale të ujitjes “Drini i Bardhë” dhe kompaninë rajonale të ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” janë shqetësuese, të papranueshme dhe në kundërshtim me politikat e ministrisë që udhëheqë, rrjedhimisht do të kërkohet llogaridhënie.
Gjatë 2 viteve të fundit kam bazuar punën e Ministrisë mbi dy parime bazë: llogaridhënie dhe transparencë, si vlera bazë për ndërtimin e një sistemi demokratik dhe qeverisjeje efektive. Kjo kërkohet pa përjashtim për të gjitha organizatat dhe entitetet nën mbikëqyrjen e Ministrisë së zhvillimit Ekonomik.
Të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2018 për këto dy ndërmarrjet publike [“Drini i Bardhë” dhe “Hidroregjioni Jugor”] kanë nxjerr në pah menaxhim jo adekuat dhe kontroll të dobët financiar me këto asete publike. Dështimi zingjirorë, Bord i Drejtorëve, Komitet i Auditimit dhe Menaxhment, është i papranueshëm.
Pas përfundimit të analizave të brendshme dhe sqarimeve të nevojshme, do të kërkoj përgjegjësi, duke mos përjashtuar asnjë masë që parashihet me legjislacionin në fuqi për ndërmarrjet publike.