Qeveria e Kosovës ka miratuar planin për zbatimin e strategjisë minerare për periudhën 2018-2020 si dhe draft konceptin për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besueshme në lidhje me transaksione elektronike, raporton Ekonomiaonline.
Që të dyja ishin propozime të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.
Lluka tha se programi për strategjinë minerare nuk do të ketë implikime buxhetore.
Ndërsa sa i përket draft konceptit për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besueshme në lidhje me transaksione elektronike, ai tha se opsioni i këtij drafti është krijimi i një ligji të ri në mënyrë që të rritet siguria elektronike për transaksione.
Në anën tjetër ministri i Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë, Besim Beqaj, teksa tha se miratimi i këtij drafti është i rëndësishëm, propozoi që së bashku me ministritë e tjera të koordinohen në mënyrë që edhe Kosova të ketë domenin e saj.
Ai tha se krijimi i këtij domeni kërkon angazhim të madh të institucioneve.