Lufta në Evropë hyri në vitin e tretë, rreziqet po rriten

Prishtinë | 24 Shk 2024 | 15:29 | Nga Kujtim Dobruna

Dy vite pasi që Rusia solli luftën në Evropë, ekonomia e saj është shndërruar në një ekonomi lufte. Raportet më të fundit flasin se në vitin 2023, Rusia pati një rritje ekonomike prej 3.5%, por kjo pritet të ngadalësohet në 1.5% në vitin 2024 për shkak të politikave të shtrënguara monetare. Pavarësisht sanksioneve perëndimore dhe shpenzimeve të larta ushtarake, Rusia ka arritur të menaxhojë deficitet fiskale, kryesisht duke i mbuluar nga Fondi Kombëtar i Mirëqenies. Rritja e kontrollit ndaj ndërmarrjeve botërore që po thejnë sanksionet, ka vështirësuar eksportin e naftës dhe të gazit rus. Si kundërpërgjigje, Rusia i ka zbritur edhe më shumë çmimet e naftës për partnerët e saj. Eksportet e BE-së në Rusi kanë rënë gati në zero, duke treguar efektivitetin e sanksioneve. Tash furnizuesit kryesorë të Rusisë janë Kina, Hong Kongu, Turqia dhe vendet e CIS.

Rënia e mbështetjes financiare dhe ushtarake perëndimore për Ukrainën ka dobësuar rezistencën e forcave ukrainase. Nëse kjo mbështetje nuk rritet, Ukraina mund ta humbë luftën brenda vitit dhe të pushojë së ekzistuari si shtet. Kjo do i japë forcë Putinit për të vazhduar pastaj me pjesët më të ndjeshme në Evropë, siç janë Moldavia, vendet e Baltikut, Polonia, Çekia e Sllovakia e deri në Ballkan. Putini këtu llogaritë me ardhjen e Trump-it në pushtet, i cili nuk e sheh NATO-n me shumë simpati dhe është i gatshëm të bëjë kompromise me Rusinë, për t’ju përkushtuar Kinës. Gjatë kohës së Presidenti Obama, ShBA-ja edhe ashtu pati ndryshuar strategjinë e saj ushtarake nga dyfrontale në një frontale, për t’u përqendruar në Azi. Në anën tjetër vendet evropiane pa ndihmën e ShBA-së nuk kanë kapacitete ushtarake për t’u përballur me një invasion të mundshëm rus. Si përfitues të “dividendës së paqes” evropianët patën ulur shpenzimet ushtarake drastikisht. Ushtritë evropiane sot kanë pajisje të vjetëruara, buxhete të mangëta e personel kryesisht të papërvojë në vatra krizash. Për të ndërtuar kapacitete ushtarake parandaluese, evropianëve ju duhen të paktën dhjetë vite. Në të njëjtën kohë, në disa vende kyçe të Evropës, parti të ekstremit të dhjatë që ushqejnë simpati për autoritarizmin e Putinit, janë gjithnjë e në rritje.

Paralelisht me këto zhvillime në Euroazi, pjesa tjetër e botës nuk është bërë më e sigurtë. Përkundrazi, Koreja e Veriut çdo ditë e më shumë po rritë presionin ndaj asaj të Jugut dhe analistët ushtarakë e vlerësojnë një agresion gjithnjë e më të mundshëm. Kjo do të detyronte ShBA-në, e me gjasë edhe Japoninë, të ndërhyjnë në mbrojtje të Koresë së Jugut.

Kina për arsye të paqarta po duket të ketë humbur durimin dhe po synon që planin fillestar për pushtimin e Tajvanit deri më 2049, ta realizojë sa më herët. Gjasat për përfshirje ushtarake të ShBA-së në këtë luftë të mundshme, posaçërisht nëse lufta Kinë – Tajvan do të ndodhë gjatë një mandati të ri të mundshëm të Presidentit Trump, janë reale. Kur këtyre zhvillimeve i shtohen edhe ato në Lindjen e Mesme, ku aktualisht Irani mund t’i ndezë tri “luftëra zëvendësuese” përmes Huthive, Hamasit dhe Hesbollahut, i bën gjasat e një lufte gjithpërfshirëse të karakterit të luftës botërore, gjithnjë e më reale. Aksi Penian-Teheran-Moskë është dëshmuar tanimë me furnizimet ushtarake për pushtimin rus në Ukrainë. Këtij aksi mund t’i shtohet lehtë edhe Pekini. Në NATO, por edhe në Evropë, përfshirë edhe Evopën Juglindore, situata është kritike. Eskpertët e sigurisë e shohin periudhën kohore 2027-2030 si periudhën më të rrezikshme, ku mund të shpërthejë një Luftë e Tretë Botërore.

Evropa Juglindore mund të bëhet viktimë e apetiteve të ndryshme, që duan të shfrytëzojnë kaosin për të realizuar planet e veta ekspansioniste. Faktori kryesor destabilizues i këtij rajoni është Beogradi, që asnjëherë nuk është distancuar as penduar për katër luftëra të ndezura e për krimet më makabre të shkaktuar në Evropë që nga fundi i LDB. Serbia vazhdon të mbetet aleat besnik i Moskës, Pekinit e Teheranit dhe po armatoset të ripushtojë Bosnjën, Kosovën e më gjerë, sapo kaosi të fillojë.

Në këtë kontekst, shqiptarët në përgjithësi e Kosova në veçanti, nuk mund ta marrin mbrojtjen ushtarake perëndimore si të mirëqenë. Jo se perëndimi nuk dërshiron, por se ndoshta nuk do të ketë kapacitete të mjaftueshme ta bëjë këtë. Kosova dhe Shqipëria duhet të armatosen e të përgatiten intensivisht për furtunën që po afrohet.

Të ngjashme