Lufta në Ukrainë, Polonia heq katër monumente të epokës sovjetike

Prishtinë | 28 Tet 2022 | 09:54 | Nga Ekonomia Online

Polonia ka hequr katër monumente të epokës komuniste si pjesë e një përpjekjeje për të theksuar mosmiratimin e saj ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Monumentet, kryesisht obeliskë betoni, u ngritën në vitin 1945 për të përkujtuar ushtarët e Ushtrisë së Kuqe që ranë ndërsa luftonin kundër trupave naziste gjermane.

Që prejse ka nisur pushtimi rus në Ukrainë, Polonia ka hequr simbolet e dominimit të Moskës pas Luftës së Dytë Botërore, shkruan Euronews.

Kreu i institutit shtetëror historik, Karol Nawrocki, pretendon se monumentet përfaqësonin një sistem që ishte fajtor për skllavërimin dhe vrasjen e popullit të vet dhe kombeve të tjera, duke përfshirë polakët.

“Ky është një monument turpi, një monument përbuzjeje të fituesve ndaj viktimave,” tha Nawrocki, duke folur në qytetin jugor të Glubczyce.

“Në vitin 1945 sovjetikët nuk sollën çlirimin, ata sollën një tjetër robëri. Ata po pushtonin Poloninë dhe po e trajtonin atë si plaçkë”.

Monumente të tjera u hoqën nga vendet e mëparshme të varrimit në Byczyna, në jugperëndim dhe në Bobolice, në veriperëndim. Eshtrat e ushtarëve u zhvarrosën dhe u zhvendosën në varret e duhura në vitet 1950.

Që kur Polonia hoqi komunizmin në vitin 1989, vendi ka ndërmarrë hapa për të zhdukur simbolet e dominimit të Moskës nga hapësirat e saj publike, duke hequr monumentet dhe pllakat, duke përjashtuar varrezat apo vendet e varrimit.

Polonia e ka mbështetur Ukrainën kundër Rusisë politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht dhe ka pranuar rreth 1.4 milionë refugjatë ukrainas.

Të ngjashme