“Luftim i krimeve ndërkufitare”, Kreu i Prokurorisë Speciale të Malit të Zi viziton Kosovën

Prishtinë | 28 Shk 2023 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Prokurorisë Speciale të Kosovës Blerim Isufaj bashkë me ushtruesin e detyrës së Prokurorit të Shtetit Besim Kelmendi dhe kreun e KPK Jetish Malokun kanë pritur sot në Prishtinë Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Malit të Zi Vlademir Novoviç dhe shefin e stafit të kësaj prokurorie, Milan Dakic.

Siç është bërë e ditur në komunikatën për media Isufaj e ka njoftuar Kryeprokurorin malazez për funksionimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës “në realizimin e misionit të tyre për sundim të ligjit, duke theksuar se sfidë kryesore e Prokurorisë Speciale mbetet luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar, krimit ndërkufitar, krimeve të luftës dhe sigurimi i kushteve adekuate për funksionimin sa më të mirë të kësaj prokurorie”.

Gjithashtu, në këtë takim njoftohet se është diskutuar edhe për nevojën e shkëmbimit të eksperiencave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në mes të dy prokurorive përkatëse, për luftimin efikas të krimeve, të cilat kryhen në dy shtetet përkatëse.

Në komunikatë thuhet se “bashkëbiseduesit kanë vlerësuar lartë bashkëpunimin që ekziston në mes të prokurorive të këtyre dy vendeve, duke theksuar dhe shprehur gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit, sidomos në luftimin e krimit ndërkufitar, krimit të organizuar dhe terrorizmit”.

Të ngjashme