Luftimet më të ashpra mes Azerbajxhanit e Armenisë në 25 vjetët e fundit

Prishtinë | 28 Sht 2020 | 18:32 | Nga Ekonomia Online

Luftimet kanë eskaluar të hënën mes Azerbajxhanit dhe Armenisë në Nagorno-Karabakh, dhe raportohet se së paku 29 persona kanë vdekur në ditën e dytë të luftimeve në këtë rajon, shkruan agjencia Reuters.

Dy palët kanë sulmuar njëra-tjetrën me raketa e artileri në luftimet më të ashpra mes vete në më tepër se një çerek shekulli.

Çdo eskalim i mëtutjeshëm mund të fusë në këtë mes edhe fuqitë rajonale si Rusinë e Turqinë. Moska ka një aleancë të mbrojtjes me Armeninë, që i ofron përkrahje jetësore Nagorno-Karabakhut, territor në Azerbajxhan i udhëhequr nga etniteti armen. Ndërkohë Ankara i ka ofruar mbështetje Azerbajxhanit.

“Ne nuk kemi parë asgjë të tillë që nga armëpushimi në vitet 1990-ta. Luftime po ndodhin në gjithë sektorët e vijës së frontit”, ka thënë Olesya Vartanyan, një analiste e lartë për çështjet e rajonit të Kaukazit Jugor në Grupin e Krizës.

Nagorno-Karabakh ka njoftuar se 27 nga luftëtarët e vet kanë vdekur në luftimet me forcat azerbajxhanase të hënën, ndërsa të dielën kishte njoftuar për vdekjen e 31 ushtarëve dhe rreth 200 të lënduarve.

Nga Nagorno-Karabakh është thënë se është rikuperuar një pjesë e territorit që u humb të dielën.

Ndërkohë nga zyra e prokurorit të përgjithshëm në Azerbajxhan është thënë se dy civilë kanë vdekur në sulmet të hënën, ndërsa pesë kishin vdekur të dielën dhe janë lënduar 30 persona. Nuk ka informata zyrtare për të vdekur në mesin e ushtrisë së Azerbajxhanit.

Të ngjashme