Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Malishevës njofton se gabimet që mund të jenë bërë në tabelat me emrat e rrugëve, do të përmirësohen.
Siç thuhet në njoftimin e Komunës, emërtimi i rrugëve, ka qenë një proces i gjatë dhe shumë i vështirë, ndërsa tani janë në fazën e vendosjes së tabelave me emrat e të gjitha rrugëve.
“Projekti i vendosjes së tabelave me emra, financohet nga Bashkimi Evropian dhe bëhet me standarde evropiane dhe për këtë qëllim, emrat në tabela shtypen në një nga vendet e Bashkimit Evropian, ku rrjedhimisht edhe mund të ketë gabime, prandaj, lusim të gjithë banorët, që i vërejnë këto gabime, të paraqiten në Drejtorinë e Urbanizimit për rregullimin e tyre”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se Zyrat e Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Malishevës, janë të hapura nga ora 08:00 deri në ora 16:00, andaj luten të gjithë ata që kanë ankesa në tabelat me emrat e rrugëve, të paraqiten në drejtori, për përmirësimin e gabimeve, ku edhe mund t’i marrin udhëzimet për mënyrën e paraqitjes së ankesave të tyre dhe procesin e përmirësimit të emrave të rrugëve.
“Emërtimi i rrugëve është bërë, sipas propozimeve të bëra nga vet banorët, ndërsa në fund janë miratuar nga ana e Kuvendit të Komunës, por pavarësisht kësaj, mund të jenë bërë gabime, si në aspektin e drejtshkrimit, ashtu edhe në ngatërrimin e emrave, prandaj, mos bëni veprime individuale për heqjen e tabelave, por të gjitha gabimet apo defekt që i vëreni, ju lutem që të paraqiteni në drejtori, për përmirësimin dhe eliminimin e çdo gabimi të mundshëm”, thuhet në njoftim.