Drejtoria Komunale e Arsimit dhe e Edukimit në Malishevë ka njoftuar se është duke i bërë përgatitjet për fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor, me ç’rast ka theksuar se procesi i përmirësimit të infrastrukturës shkollore është në përfundim e sipër.
Por ky dikaster i Qeverisë lokale ka pranuar se ka sfida në sigurimin e inventarit shkollor, si dhe kuadrit të kualifikuar për lëndët e gjuhës angleze, të artit dhe kulturës muzikore, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në raportin e punës së DKAE-së për periudhën janar-korrik të vitit 2016, që përfshin dhe raportin për përfundimin e vitit shkollor 2015/2016 pohohen vështirësitë në sigurimin e inventarit për shkolla të caktuara.
“Ka vështirësi në sigurimin e inventarit shkollor, por shpresojmë që kjo do të realizohet me ndihmën e institucioneve lokale dhe qendrore. Janë dy shkolla të reja të cilat presin furnizimin me inventar dhe disa të tjera të cilat kanë nevojë të domosdoshme për furnizim me inventar”, shkruan në raportin e DKAE-së, të publikuar ditë më parë në ueb faqen zyrtare të Komunës së Malishevës.