“Marrëveshja Swiss Diamond” BQK mbron bosët e sigurimeve

Prishtinë | 23 Jan 2017 | 12:37 | Nga

Banka Qendrore e Kosovës duket t’i jetë nënshtruar plotësisht bosëve të kompanive të sigurimeve në Kosovë. Pasi ka lejuar fiksimin e çmimeve të po-lisave me rregulloren e re të nxjerrë mbi një marrëveshje të fshehtë, në këtë institucion mohojnë të jenë në dijeni për ekzistimin e marrëveshjes paraprake.

Gazeta Fjala, javën e kaluar ka dokumentuar krijimin e monopolit përmes marrëveshjes së njohur si “Marrëveshja Swiss Diamond”, të datës 11 dhjetor të vitit 2016, që mbanë nënshkrimet e Behgjet Pacollit, Ekrem Llukës e bosëve tjerë të sigurimeve në Kosovë.

Në bazë të kësaj nuk ka dallim më nëse kompanitë e sigurimeve mbajnë emra të ndryshëm. Të gjitha kanë vendosur një çmim për sigurimin e automjeteve.

Për këtë edhe Autoriteti Kosovarë i Konkurrencës është duke e trajtimin në bazë të ligjit për konkurrencën 2004/36, neni 3, i cili ndalon të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin e shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që: “caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi”.

BQK: Gjithçka është në rregull

Por, në BQK thonë se gjithçka është në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian.

“Fillimisht, BQK-ja nuk ka njohuri lidhur me ndonjë marrëveshje të fshehtë nga kompanitë e sigurimeve. Të gjitha rregulloret e aprovuara nga BQK-ja kanë për qëllim mbrojtjen e policë-mbajtësve, si objektiv kryesor i BQK-së, dhe ruajtjen e stabilitetit financiar, në përgjithësi dhe sektorit të sigurimeve në veçanti.

BQK-ja me rastin e përpilimit të Ligjit dhe akteve nënligjore është bazuar edhe në Direktivat e Bashkimit Evropian, për të cilën edhe kemi konfirmimin pozitiv lidhur me këtë çështje”, i ka thënë Gazetës Fjala, Besnik Kada, zyrtar për informim në BQK.

Sipas tij BQK-ja është institucion i pavarur në kryerjen e mandatit të saj, të paraparë me legjislacionin në fuqi, dhe nuk ka pasur dhe as nuk i nënshtrohet asnjë presioni të pronarëve të kompanive të sigurimeve.

“Sipas rregullores për publikim të informacionit, të aprovuar nga BQK-ja të gjitha kompanitë e sigurimeve i raportojnë pasqyrat e tyre financiare në faqet zyrtare të internetit, në të cilat mund të shihen edhe gjendjet e tyre financiare”, tregon Kada.

Në bazë të pasqyrave të prezantuara, gjendja financiare e këtyre kompanive është e rëndë.

Madje gjendja e rëndë financiare në treg po del të jetë arsyeja që i ka shty bosët e sigurimeve t’i fiksojnë çmimet në tregun e sigurimeve përmes marrëveshjes të arritur në hotelin “Swiss Diamond” në fund të vitit të kaluar.

Gazeta Fjala ka analizuar raportet e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës dhe të gjitha flasin për humbje të mëdha të këtij sektori.

Sipas raportit të BQK-së mbi tremujorin e tretë të vitit 2016-të, humbja e regjistruar nga sektori i sigurimeve nga janari deri në shtator ishte 12.1 milionë euro. Derisa në periudhën e njëjtë të vitit 2015-të humbja ka qenë 3.1 milionë euro.

“Sektori i sigurimeve vazhdoi të regjistrojë humbje, e cila është thelluar dukshëm krahasuar me vitin paraprak. Të hyrat neto të sektorit të sigurimeve deri në shtator 2016 shënuan rënie vjetore prej 0.6 përqind, ndërsa shpenzimet shënuan rritje vjetore prej 16.0 përqind”, thuhet në raport.

Thellimi i humbjeve sipas BQK-së është rrjedhojë e humbjes së shënuar në kuadër të sigurimit ‘jo-jetë’(humbje prej 12.4 milionë euro), përderisa performanca financiare e sigurimit ‘jetë’ ishte pozitive (fitim në vlerë prej 265.9 mijë euro).

“Humbjet e sigurimit ’jo-jetë’ kryesisht i atribuohen rritjes së shpenzimeve për provizionet teknike si pasojë e rivlerësimit të tyre gjatë gjysmës së parë të vitit. Rënia vjetore e parasë së gatshme dhe ekuivalentëve të saj prej 10.7 përqind, dhe rritja prej 23.2 përqind e rezervave teknike të sektorit të sigurimeve ndikuan në përkeqësimin e nivelit të likuiditetit”.

Marrëveshjet e ndaluara

Ligji për konkurrencën 2004/36, neni 3 i ndalon te gjitha marrëveshjet, te cilat kane si objekt ose si pasoje pengimin, kufizimin e shtrembërimin e konkurrencës ne treg, veçanërisht marrëveshjet që:

caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejte ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi,
kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet; ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit;
zbatojnë kushte te ndryshme për transaksione te njëjta me palë të tjera tregtare, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence;
kushtëzojnë lidhjen e kontratave me pranimin nga palët e tjera kontraktuese të detyrimeve shtesë që, për nga natyra ose nga përdorimi i tyre tregtar, nuk kanë lidhje me objektin e këtyre kontratave. /Gazeta Fjala/.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme