Mbi 1 300 të arrestuar gjatë protestave opozitare në Moskë

Prishtinë | 28 Kor 2019 | 11:37 | Nga Ekonomia Online

Policia në Moskë ka arrestuar mbi 1,300 persona në ditën kur po protestohej kundër parregullsive në zgjedhjet e ardhshme lokale, tha një grup i pavarur që monitoron protestat.

Policia përdori shkopinj kundër protestuesve të cilët ishin mbledhur pranë ndërtesës së Komunës së Moskës më 27 korrik ku dhe arrestoi shumë protestues.

Arrestimi i protestuesve vazhdoi edhe pasi ata u zhvendosën në lokacione të tjera të Moskës.

Amnesty International tha se ka parë “përdorim të forcës nga policia, që rrahu me shkopinj dhe përplasi për toke protestuesit”.

Protestuesit po kundërshtonin kundër vendimit të zyrtarëve të zgjedhjeve, të cilët ua ndaluan disa figurave të opozitës që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale që të mbahen në shtator, përcjell rel.

Policia tha se ka arrestuar 1,074 persona gjatë protestës, por organizata e pavarur OVD-Info tha se 1,373 persona janë arrestuar.

Në mesin e të arrestuarve janë edhe disa figura opozitare, përfshirë Ivan Zhdanov, Ilya Yashin dhe Dmitry Gudkov.

Aleksandra Parashina, anëtare e Këshillit komunal të Moskës, që vjen nga opozita, i tha Radios Evropa e Lirë se ajo ishte goditur në kokë nga policia dhe se ndërhyrja e forcave ruse ishte “brutale” ndaj masës, e cila ishte mbledhur në afërsi të zyrës së kryetarit të komunës.

Ndërkaq, drejtoresha e Amnesty International në Rusi tha se autoritetet “kanë rënë në nivelin më të ulët, sa i përket përdorimit të masave të sigurisë që i përngjajnë ligjeve ushtarake, duke bllokuar rrugën kryesore të Moskës dhe duke mbyllur lokalet që gjenden në atë zonë”.

Është e paqartë se sa persona morën pjesë në protestën e 27 korrikut, pasi autoritetet ndaluan që protestuesit të mblidheshin në një lokacion të vetëm.

Të ngjashme