Mbi 10 mijë serbë të Kosovës nisen në Beograd në përkrahje të Vuçiqit

Prishtinë | 26 Maj 2023 | 08:35 | Nga Ekonomia Online

Rreth 200 autobusë me serbë të Kosovës janë nisur dje dhe sot në mëngjes nga Mitrovica e Veriut, Graçanica, Leposaviqi, Zubin Potoku, Shtërpc për në Beograd me ftesë (dhe me detyrim) të liderit serb, Aleksandar Vuçiq të marrin pjesë në kundër-protestën e organizuar nga ai ndaj protestave të dhjetëra mijëra qytetarëve që po protestojnë ditë me radhë kundër despotizimit të tij në Serbi.

Shumë serbë janë nisur me vetura, gjë që tregon se mbi 10 mijë serbë të Kosovës kanë shkuar në Beograd “për të mbështetur” presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton Paparaci.

Dje rreth orës 19:00 serbët e parë janë nisur nga Anamorava, ndërsa deri në mëngjes rreth 60 autobusë nga Ranillugu, Kamenica, Ropotova, dhe vende të tjera kishin kaluar vendkalimin kufitar, raporton media serbe “Kosovonline”.

Serbët nga Shtërpce janë nisur rreth mesnatës me rreth njëzet autobusë dhe vetura, dhe pas mesnate janë nisur edhe kolona me dhjetëra autobusë nga Mitrovica e Veriut  dhe Graçanica.

Para mëngjesit janë nisur edhe autobusët nga Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku.

Të ngjashme