Mbi amoralitetin politik

Prishtinë | 12 Kor 2016 | 08:48 | Nga Lumir Abdixhiku

Nëse dikush ka shpresuar se proceset biologjike vetvetiu do të përmirësojnë politikën kosovare e kanë gabim. Nëse asgjë tjetër, proceset biologjike veçse po e sofistikojnë kapjen e kapësit

-1-

Tashmë është e qartë se gjeneratat e reja politike, në masë të njëjtë sikurse pararendësit e tyre, nuk njohin moralin si element të politikëbërjes. Janë po aq pakurrizorë, po aq jokredibilë e po aq – në formën më të thjeshtë të shprehur – të pafytyrë. Nëse dikush ka shpresuar se proceset biologjike vetvetiu do të përmirësojnë politikën kosovare e kanë gabim. Nëse asgjë tjetër, proceset biologjike veçse po e sofistikojnë kapjen e kapësit.

Sepse, përderisa kapësit e vjetër – le të themi – bënin favore me automatizëm për kryekapësit, këta të rinjtë po bëjnë dhe pazare shtesë. Pra, nuk po e kërkojnë më vetëm mbajtjen e pozitës politike që kanë, por po kërkojnë dhe përfitime mbi to. Po kërkojnë poste ambasadorësh, karrige bordesh e rehatime akrabash. Pra, kostoja e kapjes po rritet me rinimin politik tonin. Kapësit po bëhen më lakmitarë.

Kapësit e rinj, që shesin votën e bindjen për një rehatim prej – le të themi – diplomati, kanë dhe një veçori shtesë. Kanë aftësi talljeje. Pra, përderisa të vjetrit i fshihnin punët e ndyra politike, të përvetësimit e zaptimit, këta të rinjtë tallen me të tjerët. I shfaqin publikisht, me mburrje e krekosje prej mizërie.

Dhe kështu, në gjithë këtë vogëlim të tyre, po vogëlohet edhe potenciali rigjenerues i Kosovës. Sfidat kundër kapjes, të deridjeshme, veçse po shtohen. Kundërshtarët kapës po sofistikohen. Me sofistikimin e tyre dhe modelin që këta po ndërtojnë në vazhdimësi, po vogëlohet edhe ajo pak dritare e vogël që sheh Kosovën si vend normal evropian. E ka vetëm dy elemente rritëse këtu; vetëdijesimi se koha jo domosdo prodhon progres – dhe e dyta, motivi për të ndryshuar rrënjësisht pjesën më të madhe të kulturës politike në Kosovë; gjithçka që sot ajo përfaqëson.

-2-

Merreni për pak moralitetin e politikës britanike; nivel që secili që e konsideron veten me mendësi të re politikëbërjeje duhet ta ketë për model. Pas referendumit për dalje u dorëhoq kryeministri – sepse kishte humbur veç një sfidë. U kërkua, dhe me gjithë gjasë do të ndodhë, dhe dorëheqje e liderit opozitar – sepse, njëtrajtësisht kishte dështuar të parandalonte një dëm për vendin (siç e konsideronin bashkëpartiakët e tij). Në fund u tërhoqën e u dorëhoqën edhe vetë promovuesit e fushatës pro-daljes; sepse momentumi i ri nuk i favorizonte ata.

Nuk po pres, natyrshëm, që niveli politik i Kosovës të arrijë standardet e një shoqëria si kjo më lart. Po pres, gjithsesi, që ky nivel politik të ketë një bazë minimale të moralitetit. Po dhe nuk pati fare një bazë të tillë, pres që mekanizmat korrektues moralë, të shoqërisë – qytetarëve, intelektualëve, Akademisë e të tjerëve – të jenë aktivë. Sepse, janë mu mekanizmat e tillë që detyrojnë një politikan të sillet me rregulla minimale morale.

Këta mekanizma korrektues, fatkeqësisht, janë ose inekzistentë ose bashkaktivë me kapësit. Pjesërisht sepse nuk kanë guxim; pjesërisht sepse janë përfitues të këtij sistemi kapës. Nga punëdhënia individuale deri tek privilegjet familjare.

E kam thënë dhe më parë. Sot sistemi partiak e politik në Kosovë nuk shihet si fushë që individët e grupet mund të kontribuojnë. Shihen, për fatin tonë të keq, veçse si një plaçkë që fituesi i garës e ndan. Rrjedhimisht, pas secilit proces zgjedhës të gjitha pozitat publike janë të deleguara tek kontribuuesit partiakë të kapjes. Nga pozitat e bordeve, agjencive, financierëve e deri tek mësimdhënësit e universiteteve publike, mësuesve të shkollave e edukatorëve në çerdhe. Do të habiteshit, po të shihnit, se në shumë nivele këshilltarësh, ministrash e agjencish, pozitat janë të deleguara me automatizëm për degët e partive që posedojnë me tall.

Publikja pra sot është shndërruar si një thes që jep beneficione për të gjithë. Shihni për pak të 40 mijë përfituesit potencialë të veteranëve. Bëhet fjalë pra për 120 milionë euro përfitime vjetore nga një grup që – në masë të madhe – del të jetë në numër i pasaktë e në përbërje i padrejtë. E gjitha është bërë nën idenë e shfrytëzimit të beneficionit publik pa çarë fare kokën për koston e këtij përfitimi.

-3-

Ky nivel degradues është instaluar dhe shndërruar në kulturë të politikëbërjes. Është bërë krejtësisht e pritshme e normale. Dhe për këtë kulturë nuk gjen njeriu përjashtim në asnjë parti politike në vend. Të gjitha partitë politike këndej, në nivel qendror e lokal pa dallim, mbajnë për synim rehatimin e kontribuuesve partiakë për fillim – për të përfunduar me kapje në fund.

Kosova do të ketë telashe enorme me gjithë sistemin publik të kapur e të kalbur. Do të kemi problem me reformimin e sistemit tonë diplomatik në të ardhmen – me njerëz jokompetentë e joparimorë sa s’bëhet më. Do të kemi problem me uljen e përfituesve të pagave në një administratë publike megalomane e nepotike. Do të kemi problem me zhbërjen e kapjes së secilës agjenci, nga pastrimet ditore e deri tek furnizimet e ujit e energjisë.

Do të kemi problem dhe uljen e përfitimeve publike. Do të jetë vështirë që nesër të bëhen shkurtime, reformime e përmirësime në sistemin e edukimit, ku kemi marrë mësues pa shkollë; në sistemin e shëndetësisë, ku kemi mjekë pa dije; apo në sistemin e veteranëve, ku kemi përfitues mashtrues. Ky proces, për më tepër, do të jetë dhe i frikshëm për secilin vendimmarrës. Siç ka qenë problematik në shumë vende të tjera, çkapja ndërlidhet me frikë – me frikën e humbjes së zgjedhjeve.

Gjërat pra nuk duken mirë; dhe – për fatin tonë të keq – me vazhdimin e kohës ato po bëhen e duken edhe më të rënda. Së këndejmi, është imperativë që koha e reagueshmërisë sonë ndaj kapjes të vijë sa më shpejt. Komforti në të cilin jemi futur ne, edhe atëherë kur një politikan e politikanë mediokër tallen publikisht sepse kanë shitur votë, është i pashpjegueshëm. Ky komfort veçse u jep të njëjtëve më shumë arsye për të vepruar njëjtë. E kundërta, reagimi ndërsa vë një shkallë të re që tjetri do ta respektojë. Mund të duket shkallë e vogël, por herët apo vonë e njëjta do të prodhojë një kulturë të re politike në vend.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme