Mbledhje e jashtëzakonshme e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kjo është tema e diskutimit

Prishtinë | 24 Nën 2021 | 17:25 | Nga Ekonomia Online

Gazetari i Gazetës Express në Shkup, Besian Leka, në një lidhje direkte në “Frontal” në T7 ka dhënë informacionet e fundit nga Maqedonia Veriore, pas aksidentit tragjik që la 46 persona të vdekur.

Gazetari Leka raporton se aktualisht Qeveria e Maqedonisë Veriore po mban mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën pritet të vendoset se si do të kthehen trupat e pajetë në Maqedoninë e Veriut, si do të kthehen të lënduarit dhe cila do të jetë shuma e dëmshpërblimit për familjarët e viktimave.

“Të mbijetuarit, vazhdojnë të kenë gjendje stabile, mendohet të kthehen nesër apo më së voni pasnesër në Maqedoninë e Veriut dhe dy në Preshëvë, prej nga vijnë. Sot është ditë Zie në Maqedoni e dyta me radhë, flamujt janë në gjysmështizë, ndërsa familjarët kanë hapur dyert për ngushëllime. Atmosferë shumë e zymtë po mbizotëron në Shkup dhe në gjithë Maqedoninë”.

Ai përmendi edhe informacionet jozyrtare që po qarkullojnë për autobusin që u përfshi nga flakët që la dhjetëra persona të vdekur.

“Informacione jozyrtare kanë arritur se autobusi po transportonte ilegalisht një sasi të madhe mjete piroteknike, derivate të naftës që janë me çmim më të lirë në Turqi, por këto mbeten vetëm spekulime derisa të hetohen nga organet hetuese të Maqedonisë dhe Bullgarisë”, tha ai tutje.

“Trupat e pajetë të viktimave mund të vonohen deri në 1 javë për t’u kthyer në vend”, u shpreh më tej gazetari.

Të ngjashme