Mbrojtja dhe mbështetja e dëshmitarëve në proceset e Gjykatës Speciale të Kosovës për krime lufte me seli në Hagë, pritet të jetë një sfidë dhe proces mjaft i komplikuar, thonë ekspertët. Sipas tyre, kjo gjykatë megjithatë ka marrë leksione nga përvoja e kaluar e Tribunalit Ndërkombëtar.
Pikërisht droja nga frikësimi i dëshmitarëve ishte një prej arsyeve pse kjo gjykatë e Kosovës ndodhet në Hagë dhe jo në Prishtinë, “marrë parasysh se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për faktin se disa nga të dyshuarit në pjesë të caktuara të shoqërisë kosovare mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Holandës, të lëshuar qysh në vitin 2016, kur ishte vendosur për këtë gjykatë.
Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, drejtori ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve me seli në Londër, Dr. Mark Ellis thotë se Gjykata e Kosovës në Hagë më shumë se secila gjykatë paraprake i kushton rëndësi mbrojtjes së dëshmitarëve, masave mbrojtëse dhe sigurisë që ata të mos ndihen të frikësuar.
“Kjo është kështu pasi që ata e dinë se sa komplekse është Kosova dhe sa kompleks ishte konflikti. Dhe e dinë se nëse duan të tregohen të suksesshëm, ata duhet të sigurohen që ka dëshmitarë të cilët do të dëshmojnë edhe pse do të jetë një sfidë e madhe dhe një proces i komplikuar”, tha Ellis.
Duke e krahasuar këtë gjykatë me Tribunalin e Hagës, Ellis thotë se te çështja e mbrojtjes së dëshmitarëve në Tribunalin e Hagës kishte vonesa dhe kjo kishte shkaktuar më pas frikësim të dëshmitarëve.
Sipas tij, mësimet tashmë janë marrë nga e kaluara dhe se të gjitha gjykatat deri më tani, siç janë Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi, Tribunali për Ruandën, ai për Kamboxhën dhe Shri Lankën ishin ballafaquar me çështjen e frikësimit të dëshmitarëve.
“Gjykata e Kosovës ka përfituar nga përvojat e mëparshme dhe pa dyshim do t’i qasen kësaj çështjeje në mënyra të ndryshme dhe mendoj se kjo është shumë e rëndësishme”, thekson Ellis. Sipas tij, pa trajtuar çështjen e mbrojtjes së dëshmitarëve, pa siguruar që dëshmitarët nuk do të frikësohen dhe që askush nuk do të ndërhyjë tek ta, është e pamundur të ketë një proces efektiv gjyqësor.
Një leksion i mësuar nga e kaluara, nënvizon ai, është që të mos flitet shumë se në kë është e përqendruar vëmendja e gjykatës.
“Sapo të komunikoni individët që janë fokusuar (shnjestruar), rrezikohen dëshmitarët të cilët mund të luajnë rol në gjykim. Kur gjykata e konsideron ngritjen e aktakuzës kundër individëve, gjykata në të njëjtën kohë shqyrton mbrojtjen e dëshmitarëve të mundshëm, pra kur aktakuza të bëhet publike. Nëse në këtë fazë nuk i mbroni dëshmitarët, pastaj mund të jetë shumë vonë”, thotë ai.
“Së dyti, është e rëndësishme të ketë vëmendje të shtuar dhe të sigurohen më shumë burime për të mbrojtur dëshmitarët. Në të kaluarën kjo nuk ka ndodhur në gjykatat ndërkombëtare dhe ishte përcjellë me probleme të mëdha që në fillim. Por, edhe sot, me të gjitha burimet që ka në dispozicion Gjykata Ndërkombëtare Penale, ka vështirësi dhe sfida për të siguruar që dëshmitarët se ata nuk janë të frikësuar. Prandaj, është shumë e rëndësishme që vëmendja dhe burimet të përqendrohen në çështjen e dëshmitarit dhe kjo është ajo që bën kjo gjykatë”, thekson Ellis.
Në Gjykatën Speciale konfirmojnë se mbrojtja dhe mbështetja e dëshmitarëve përbën një “prioritet të lartë”, por nuk japin informacione tjera. Me këtë çështje merret një Zyrë e veçantë.
Zëdhënësja e Dhomës së Veçantë (Gjykatës Speciale) Angela Griep, përmes një përgjigje me shkrim, tha për Radion Evrpopa e Lirë se gjyqtarët mund të lëshojnë urdhër për futjen e masave të duhura për mbrojtjen, sigurinë, shëndetin fizik dhe mendor, dinjitetin dhe privatësinë e dëshmitarëve ose personave të tjerë që mund të jenë në rrezik për dëshminë e tyre.
Ajo shton se masat mbrojtëse ndryshojnë dhe se ato mund t’i kërkojë vet dëshmitari, prokurori, avokati mbrojtës, por edhe gjyqtari mund të vendos vet pa pyetur dikë.
Marrë si shembull, masat mbrojtëse që mbrojnë identitetin ose vendbanimin e dëshmitarëve parashikojnë fshirjen e emrave dhe informatave të tjera nga të dhënat, përcaktohet një pseudonim dhe nuk i ofrohen informatat publiku për identitetin.
Dëshmia bëhet përmes përdorimit të një pajisje për ndryshimin e pamjes dhe zërit. Po ashtu, dëshmitë ofrohen përmes televizorit me internet me dy kanale duke i bërë të mundur dëshmitarit që të shohë edhe sallën e gjykimit dhe të personave të pranishëm, por, publiku nuk mund ta shoh atë. Gjithashtu ekzistojnë masa të posaçme mbrojtëse për dëshmitarët e traumatizuar ose të ndjeshëm.
Shkelja e masave mbrojtëse të gjykatës mund të çojë në kryerjen e veprës penale kundër zbatimit të drejtësisë, që dënohet me Kodit Penal të Kosovës i cili zbatohet edhe nga kjo gjykatë.
Ligji për Dhomat e Specializuara ose Prokurori i Specializuar mund të thërrasin ndonjë dëshmitar nëse ekziston mundësia që ai të ketë informacion në lidhje me ndonjë vepër penale, kryesin e veprës penale ose rrethanat e rëndësishme për procedurën penale.
Neni 42 i këtij ligji thotë se çdo person që është i pranishëm në Kosovë dhe që thirret si dëshmitar e ka për detyrë t’i përgjigjet thirrjes dhe të dëshmojë përveç nëse parashihet ndryshe në këtë ligj.
“Nëse dëshmitari që është thirrur në mënyrë të rregullt nuk paraqitet ose nuk e arsyeton mosparaqitjen e tij ose në qoftë se ai largohet nga vendi ku ai duhet të merrej në pyetje pa leje apo ndonjë arsye të vlefshme, ai dëshmitar mund të detyrohet të paraqitet dhe mund të gjobitet deri në dyqind e pesëdhjetë (250) euro për secilën herë që ai ose ajo nuk paraqitet”, thuhet në ligj.
“Nëse dëshmitari refuzon të dëshmojë edhe pasi të jetë gjobitur, ai mund të burgoset. Burgimi zgjat për aq kohë sa dëshmitari refuzon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura penale të përfundojë, por nuk e tejkalon periudhën prej një (1) muaji”, parashihet me ligj.
Megjithatë, shumëkush në Kosovë e konsiderojnë këtë gjykatë si të padrejtë, sepse, siç thonë, do të gjykojë vetëm pjesëtarët e një grupi etnik, në këtë rast shqiptarët, ndërsa krimet e supozuara të serbëve do të mbeten të pandëshkuara.
Mark Ellis konsideron se para së gjithash është e rëndësishme që të gjithë popujt në Kosovë të kuptojnë se ata që kryen krime të natyrës më të keqe, pavarësisht se nga cili grup etnik vijnë, duhet të përballen me drejtësinë.
“Mendoj se është përgjegjësi e gjithë bashkësisë ndërkombëtare që të vazhdojë të mbështes këtë proces në gjykatë, dhe të mbetet pranë parimit se individët që janë të akuzuar për krime duhet të ballafaqohen me drejtësinë”, theksoi Ellis.
Dhomat e Veçanta apo siç njihet në Kosovë Gjykata Speciale, është gjykata e katërt me radhë që merret me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me këto krime, paraprakisht janë marrë edhe Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë apo UNMIK-u, Tribunali Ndërkombëtar i Hagës si dhe Gjykata e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX.
Në lidhje me këtë, Ellis thotë se ka ende një boshllëk në përgjegjësi, por ai nënvizon se nëse Kosova dëshiron të jetë pjesë e bashkësisë së kombeve të civilizuara ndërkombëtare, ajo duhet të sigurojë që individët të përballen me drejtësinë.
“Kosova nuk duhet ta shohë këtë proces negativisht, por duhet ta pranojë dhe të thotë se ne e shohim objektivisht çdo provë që dëshmon se krimet janë kryer gjatë luftës nga ana e pjesëtarëve të popullatës sonë dhe si pjesë e bashkësisë ndërkombëtare është përgjegjësi e jona që të sigurohemi se këta individë të përballen me drejtësinë, për hir të viktimave dhe për hir të integritetit të Kosovës dhe të drejtësisë ndërkombëtare”, thekson Ellis.
Këtë javë, në Hagë ka filluar intervistimi i disa komandantëve të ish-UÇK-së. Të hënën dhe të martën është intervistuar Rrustem Mustafa, i cili tha se ishte ftuar në cilësinë e “dëshmitarit të dyshuar”.
Ndërkaq të mërkurën ka filluar intervistimi i një ish-komandanti tjetër të UÇK-së, Sami Lushtaku.
Para se të udhëtonin për në Hagë, ata janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ky i fundit tha se lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe e shenjtë dhe se kjo do të dëshmohet kudo dhe kurdo.
Gjykata Speciale është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave të tjera penale në lidhje me pretendimet e përfshira në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit, 2011.
Në raport thuhet se krimet e pretenduara ishin kryer nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në periudhën 1998-2000.
Kjo gjykatë është formuar pasi Kuvendi i Kosovës miratoi legjislacionin e nevojshëm dhe u bë plotësisht funksionale në korrik të vitit, 2017. Gjykata financohet nga Bashkimi Evropian dhe drejtohet nga stafi ndërkombëtar.
Deri më tani nuk është ngritur asnjë aktakuzë.