Me propagandën për bashkim kombëtar, Kurti e dëmtoi idenë e bashkimit dhe Kosovën atlantike

Prishtinë | 26 Shk 2023 | 17:51 | Nga Milazim Krasniqi

Afrimi i panatyrshëm i Ramës me Vuçiqin, ka qenë operacion ndërkombëtar, për ta mposhtur propagandën agresive të Kurtit për bashkim kombëtar. Nga sponsorët e shtetit të Kosovës, SHBA e NATO, afrimi antipatik i Ramës me Vuçiqin është shikuar më pak problematik, se sa ideja e Kurtit për ta zhbërë Kosovën si shtet, gjoja në emër të bashkimit me Shqipërinë.

A mirë a keq? Keq në të dyja rastet. Keq afrimi i Ramës me Vuçiqin, sepse ashtu është dëmtuar Kosova më shumë se sa vetë Kurti. Por keq edhe nga ideja e mbrapshtë e Kurtit, që ishte haptas në kundërshtim me projektin atlantik për Kosovën e pavarur.

Pasojat:

1. Tash për tash nga propaganda primitive e LVV është shkatërruar ideja e bashkimit kombëtar.

2. Ndëshkimi ndaj Kurtit e ka suspenduar planin për njohjen e Kosovës, në fund të procesit të dialogut. Pra, as bashkim kombëtar, as njohje të shtetit të Kosovës.

3. Rreziku është real që asociacioni serb të jetë në qendër e t’i imponohet Kurtit, për ta poshtëruar përfundimisht. Dhe për t’ia ngulitur se nuk mund të sfidohet projekti atlantik, në të cilin Kosova është baza kryesore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

E populli? Populli do të vazhdojë të jetë i manipuluar. Populli do të kërkojë atë që nuk mund ta realizojë dhe do ta refuzojë atë që është në interesin e tij.

Gjatë gjithë kësaj kohe njerëzit shqiptarë po ikin nga Kosova. Ka rrezik të mbetemi këtu vetëm ne të moshuarit dhe zyrtarët LVV-qeveritarë. Ata zyrtarë që dikur si papagaj propagandonin për bashkim kombëtar, duke dëmtuar rëndë jo vetëm optimizmin dhe besimin e njerëzve shqiptarë në të ardhmen e bukur të Kosovës atlantike, po edhe vetë themelet e shtetit kosovar.

Dëmi tashmë është bërë nga ajo propagandë primitive dhe agresive. Ndërsa afria banale e Ramës me Vuçiqin ka ngelë vetëm si dëm kolateral i dëmit katastrofal të aventurizmit propagandistik e politik të Kurtit. Thënë thjesht, u kompromentua ideja e bashkimit kombëtar dhe u rrezikua pavarësia e shtetit kosovar.

Çka ka rrezik tjetër? Ka rrezik se mund të bëhet federalizimi i Kosovës, gjë që do ta bënte vend të pajetueshëm Kosovën tonë të shtrenjtë.

P.S. Uroj që Kurti nesër të mos lëshojë pe lidhur me federalizimin.

Të ngjashme