Mediat e huaja shkruajnë për përplasjen e Metës me ambasadoren amerikane

Prishtinë | 24 Pri 2021 | 12:53 | Nga Ekonomia Online

Përplasja në distancë mes presidentit shqiptar, Ilir Meta dhe ambasadores së SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, ka marrë vëmendjen edhe të mediave botërore.

“Presidenti shqiptar kritikon ashpër ambasadoren amerikane në një debat televiz”, është titulli i agjencisë së lajmeve Associated Press që u shpërnda edhe në “Washington Post”, “ABC News” dhe shumë media të tjera amerikane.

Meta ditë më parë kishte bërë thirrje te qytetarët që të rrëmbejnë edhe sfurqet (mjete bujqësore) në mbrojtje të votës, njofton Klan Kosova.

“U bëni thirrje gjithë grave dhe gjithë burrave të Fierit e të Mallakastrës t’i mprehin sfurqet, kosoret, sëpatat dhe çka kanë dhe t’i kenë gati për ditën e diel”, kishte deklaruar Meta.

Për këtë deklaratë të tij ka reaguar ashpër Kim, e cila në Twitter ka shkruar se kërcënimet ndaj qytetarëve duhet ndaluar.

“Është e papranueshme për secilin që të kërcënojë qytetarët që të kapin “sfurqet” më 25 prill nëse nuk iu pëlqen rezultati i zgjedhjeve. Këto kërcënime meritojnë të dënohen. Ata që nxisin dhunë duhet të mbajnë përgjegjësi për rezultatin e fjalëve dhe veprimeve të tyre. Stop”, ka shkruar Kim në Twitter.

Kim i ka shkruar edhe mesazh të shkruar Metës.

Por, Meta mbrëmë në një emision televiziv te Syri TV i është përgjigjur Kimit duke i thënë që të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Shqipërisë dhe duke e akuzuar se po e mbështet Ramën.

“Më tha që duhet të ndalosh me këtë çështjen e sfurqeve dhe unë i thashë se duhet të ndalojë të mbështesë Ramën për të dhunuar zgjedhjet. Kaq”.

“Ambasadorja e Amerikës nuk më tregon dot mua se çka duhet të bëjë unë për llogari të Edi Ramës”.

Meta nga studio televizive e ka ftuar ambasadoren që së bashku me kryeministrin Rama të ballafaqohen me të në një debat televiziv.

Më pas edhe Rama ka reaguar kundër kësaj deklarate të Metës ndaj Kim, duke e quajtur Metën “të dehur”.

Për deklaratën e mbrëmshme të Metës ende nuk ka pasë ndonjë reagim nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Të ngjashme