Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga Aleanca Kosova e Re (AKR), Gëzim Mehmeti, nën sloganin “Smart City” apo Qyteti i Zgjuar, shpalosi programin e tij politik para qytetarëve të lagjes “Qafa”, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, ndërtimet pa leje kanë pamundësuar menaxhimin e duhur të kryeqytetit.
“Sot ndihem shumë mirë që kemi investuar te Qafa sepse kemi ndërtuar terrene sportive. Sot do ta shpalos programin për Prishtinë, transparencë dhe bashkëqeverisje. Rrethanat e pandemisë na bënë të mendojmë ndryshe për të ardhmen. Ndërtimi pa leje ka ndikuar që qyteti të mos menaxhohet si duhet “.
Ai tha se është paraparë që Prishtina ta ketë qendrën monitoruese një investim prej 15 mijë eurove.
“Çdo lëvizje që bëhet në Prishtinë të jetë transparentë. Një investim prej 15 mijë eurove ia mundëson qytetarëve online të shërbehen. Qendra monitoruese do të shërbejë edhe sa i përket konkurrimit. Ne do të eliminojmë çfarëdo dyshimi sa i përket konkurrimit që komuna i parasheh t’i hapë”.
Ai tha se prioritet e kanë edhe sportin, pa lënë anash edhe parqet e investimet në bujqësi.
“Investimet në çdo lagje janë prezentë sidomos ndërtimi i parqeve. Investime në pjesën rurale të komunës ka ndodhur dhe është ndërtuar infrastruktura në këtë pjesë. Bujqësia poashtu ka prioritet të madh për ne”.
Sipas tij, ndërtimi i katër shkollave do të bëhet deri në muajin janar, kurse gjatë mandatit do të ndërtohen 10 çerdhe.
“Ky është afarizëm që është duke u rritur në komunën tonë. Infrastruktura që kemi zhvilluar 4 vjet e fundit për qytetarët e Prishtinës. 4 shkolla do të ndërtohen deri në janar. Një në lagjen Qëndresa, në Sofali, Arbëri dhe në pjesën e Matit. Janë paraparë 10 çerdhe të ndërtohen me ardhjen time në pushtet”.
Mbështetje kandidatit për kryetar të Prishtinës po i jep edhe nënkryetari aktual i komunës, Selim Pacolli i cili tha se kandidati jonë e meriton përkrahjen tuaj dhe se do të jenë në shërbim të qytetarëve të Prishtinës.
“Unë jam bashkë me gëzimin në këtë rrugëtim do të kontribuojmë për qytetarë të Prishtinës. Ne do të punojmë për këta qytetarë”.
AKR ka publikuar agjendën e ditës së sotme, ku takimet me qytetarët do të vazhdojnë, në lagjen Pejton në ora 14:00 dhe në Dardani në ora 17:00.