Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka zhvilluar vizitë në terren për të parë nga afër ecurinë e veprimtarive bujqësore dhe blegtorale të fermerëve në Komunën e Pejës, si dhe për t’u njohur me sfidat me të cilat përballen ata në aktivitetet e tyre.
Gjatë kësaj vizite, ai qëndroi tek kultivuesit bujqësorë dhe tek fermerët që merren me prodhimin dhe përpunimin e qumështit në fshatrat e Lugut të Baranit, të cilët i njoftoi për mbështetjen e Ministrisë përmes programeve zhvillimore të këtij viti. Me këtë rast, ai theksoi se tashmë ka nënshkruar Vendimin për Kornizat Buxhetore të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2026, me një paketë prej rreth 77.5 milionë euro.
“Përmes këtyre programeve synojmë mbështetjen e fermerëve, rritjen e prodhimit vendor dhe modernizimin e sektorit. Bujqit do të vazhdojnë të paguhen për hektarë apo krerë në nivele të njëjta si vitet paraprake, pa ulje të mbështetjes, ndërsa parashihen rritje të targetuara për sipërfaqet e mbjella me pemë dhe perime, si dhe pagesë shtesë për hektarët e parë për të fuqizuar fermat e vogla”, ka thënë ministri Muja.
Po ashtu, ai i njoftoi fermerët se do të kenë përkrahjen e vazhdueshme të Ministrisë për avancimin e veprimtarive të tyre bujqësore dhe blegtorale. Në këtë kuadër, ai theksoi edhe masat e ndërmarra gjatë javës së kaluar për adresimin e problemeve në sektorin e qumështit.
“Kam ndërmarrë një paketë masash në sektorin e qumështit, të cilat janë në interes të mbrojtjes së konsumatorit, garantimit të cilësisë dhe mbështetjes së prodhuesve vendorë dhe ekonomive familjare”, theksoi ministri Muja.
Gjatë bashkëbisedimit me këta fermerë, Ministri Muja theksoi edhe njëherë se mbeten të përkushtuar për të mbështetur fermerët vendorë përmes politikave konkrete dhe investimeve të qëndrueshme, me qëllim zhvillimin e sektorit bujqësor dhe përmirësimin e mirëqenies së komuniteteve rurale në të gjithë vendin.
Në fund të kësaj vizite, fermerët e këtij rajoni e falënderuan ministrin për vizitën, si dhe për masat e ndërmarra në përkrahje të zhvillimit të bujqësisë në vend.