Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së është miratuar një kërkesë e Prokurorisë që deklaratat e pesë dëshmitarëve të pranohen me shkrim, ndërsa për të gjashtin është rrëzuar.
Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep përmes konferencës javore, duke shtuar se vedimi është marrë më 21 tetor 2024, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, trupi gjykues më 21 tetor miratoi pjesërisht një kërkesë të Prokurorisë që deklaratat e pesë dëshmitarëve të pranoheshin vetëm si prova me shkrim. Trupi gjykues rrëzoi kërkesën në lidhje me një dëshmitar të gjashtë, me qëllim që të mos shkaktohet dëm i papërligjur dhe të sigurohet që mbrojtja të ketë mundësi të verifikojë mbështetshmërinë në deklaratën e dëshmitarit”, tha Griep.
Zëdhënësja shtoi se Prokuroria mund të kërkojë që ky dëshmitar të japë dëshmi në gjykatë ose të dorëzojë deklaratën e tij me shkrim në mënyrë që të vihet në dispozicion për pyetjet e mbrojtjes.
Zëdhënësja e DhSK-së, tha se trupi gjykues në këtë çështje ka miratuar pjesërisht një kërkesë të Prokurorisë për të vendosur masa mbrojtëse për një numër të dëshmitarëve dhe që disa të tjerë të japin dëshmi përmes video-lidhjes.
Ajo tregoi se gjatë kësaj jave kanë dhënë dëshmi dy dëshmitarë pa masa mbrojtëse: Fadil Geci dhe Nuerdin Ibishi.
Kurse, për çështjen gjyqësore ndaj Salih Mustafës, sipas Griep paneli i Kushtetueses ka miratuar kërkesën e Prokurorisë dhe mbrojtësit të viktimave, që të dorëzojnë parashtrimet e tyre lidhur me kërkesën referuese të Mustafës të cilën e ka paraqitur në këtë gjykatë më 27 shtator.
“Në kërkesën referuese zoti Mustafa pretendon, ndër të tjera, se iu shkelën të drejtat e tij kushtetuese kur Gjykata Supreme lejoi mbrojtësen e viktimave të bënte parashtrime në lidhje me kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë dhe kur Gjykata Supreme vendosi se Kodi Penal i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë i vitit 1976 nuk mund të merrej për bazë në përcaktimin e shkallëzimit të dënimit”, tha Griep.
Sipas Griep, paneli i kësaj gjykate ka theksuar se nuk ekziston e drejtë e përcaktuar për parashtrime në kërkesa referuese që i paraqiten Kushtetueses pasi që merret vetëm me shkelje të pretenduara të të drejtave të njeriut.
“Megjithatë, Paneli e gjykoi të përshtatshme që në rrethanat aktuale dhe si rast i veçantë, të pranojë parashtrime nga këta dy pjesëmarrës në procesin penal fillestar. Gjykata Kushtetuese ua caktoi si afat 8 nëntorin. Në qoftë se zoti Mustafa dëshiron t’u përgjigjet parashtrimeve, ai urdhërohet t’i dorëzojë ato deri më 29 nëntor 2024”, tha tutje Griep.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.